Skuadra kukësiane që prej ditës së djeshme ka ulur në pankinë një emër si Orges Shehi që debutimin e tij do ta ketë pikërisht nesër në orën 17.00 në “Elbasan Arena” ndaj Vllaznisë.
Në fakt, 43 vjeçari gjatë rrugëtimit të tij të suksesshëm si futbollist, është ndalur edhe në Shkodër teksa ka luajtur para 15 vitesh për një sezon me kuqeblutë. Kuptohet që nuk ka qenë sezoni i tij më i mirë dhe mbase është larguar jo me mbresat e duhura nga kjo përvojë, por ish- portieri i njohur gjithmonë ka ruajtur respektin për këtë skuadër dhe për këtë qytet.
E ka treguar këtë gjë në çdo vizitë që ka bërë më pas si pjesë e ekipeve të tjera me të cilat ka vijuar karrierën, por ndërkohë nesër do të jetë kundër Vllaznisë këtë herë si trajner.
Kuptohet që do të tentojë ta mundë sepse kjo është detyra që i kanë ngarkuar kukësianët, madje duke ia bërë të ditur se nëse nuk fiton titullin kampion, do të jetë i shkarkuar!
Megjithatë Shehi ka pranuar dhe nesër do të kërkojë ta nisë me këmbë të mbarë ndaj Vllaznisë duke tentuar ta mundë. Kjo e fundit nuk po kalon një moment të mirë megjithatë sfida të tilla gjithmonë kanë dhuruar emocione dhe me shumë siguri, do të dhurojë edhe këtë herë.
Ndërkohë “Shkodra Sport” po ju risjell me këtë shkrim dy foto të Orges Shehit me fanellën e Vllaznisë 15 vite më parë.
© shkodrasport.com