Një foto e ardhur nga Italia, na risjellë në vëmendje këto dy figura të njohura të gazetarisë sportive shkodrane dhe shqiptare.
Në të janë dy radiokronistët e njohur Pal Toma dhe Engjell Gjolaj.
Sportdashësit shkodranë dhe ato shqiptarë besoj se i kanë ende në kujtesën e tyre zërat karakteristikë të këtyre dy komentatorëve kur transmetonin njëri ndeshjet e Vllaznisë nga stadiumi “Vojo Kushi” fillimisht e më pas “Loro Boriçi” dhe tjetri nga stadiumi “Besëlidhja”.
Pal Toma ka qenë pasuesi i traditës së Ymer Striniqit dhe bashkë me të në vitet ’80 e më pas, kanë qenë të pranishëm në çdo ndeshje të Vllaznisë për të përçuar emocionet e saj përmes aparateve radiofonike. Zëri i tij karakteristik, i ngjashëm me atë të mjeshtrit Ismet Bellova, ka qenë ai që i ka bërë për vete të gjithë dëgjuesit e radios.
Ka punuar për disa kohë edhe në TV Rozafa duke drejtuar emisionin sportiv por edhe duke komentuar ndeshje dhe prej shumë vitesh jeton bashkë me familjen e tij në Itali.
Po në këtë vend jeton edhe komentatori tjetër, lezhjani me origjinë nga Malësia e Shkodrës Engjell Gjolaj. Ai njihet për komentimet e tij por edhe si fotograf sepse për vite me rradhë ka qenë i pranishëm në çdo ndeshje të Vllaznisë për të hedhur në celuloid pjestarët e shquar të historisë së saj, për më tepër që ka qenë dhe mbetet një tifoz i zjarrtë i kuqebluve.
Dyshja Toma- Gjolaj për një moment janë bashkuar në Milano dhe kanë bërë këtë foto sëbashku dhe natyrisht po jua risjellim edhe ju në shenjë respekti për atë çfarë kanë dhënë për gazetarinë sportive shkodrane dhe asaj shqiptare.
© shkodrasport.com