15 vite të arta karrierë marrin fund. Hamdi Salihi vendosi që të mbyllë periudhën e artë prej bomberi, për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur.

Pardje, në ndeshjen e fundit me Viener Nojshtad, shkodrani ka zbritur në fushë titullar dhe si kapiten nën shoqërinë e dy fëmijëve të tij dhe me mbështetje edhe nga tribuna, teksa tifozët e falënderojnë publikisht me banderolë.

Për fat të keq, skuadra e tij mundet 2-1 dhe për të në minutën e 52-të është momenti për t’u duartrokitur dhe për të dalë nga fusha me kujtimin më të mirë të asaj që ka lënë pas: Histori.

KARRIERA – Gjithçka e nisi te Vllaznia dhe pasi shkëlqeu në vendlindjen e tij tërhoqi vëmendjen e shumë skuadrave të mëdha jashtë vendit. Pranoi të shkonte te Panioniosi, por grekët ishin skuadra e vetme ku nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. Ndoshta sepse ishte shumë i ri dhe duhet të vazhdonte të rritej.

Pastaj u rikthye sërish në Superiore për të luajtur me Tiranën. Shkëlqeu sërish dhe më vonë nisi aventurën me një nga ekipet më të njohura të Austrisë, Riedin. U bë një sulmues i kërkuar në Vjenë dhe Rapidi arriti të fitonte shërbimet e tij.

Shumë gola në derbi, spektakël dhe fitore prej tij. Pas futbollit serioz duhej pak aventurë. U aktivizua në Amerikë me DC Junajtid dhe në Kinë me Jangsu.

Edhe në Izrael pati mundësinë të tregonte “roveshatat” e tij, por diçka e kishte lënë në mes në futbollin shqiptar. Prandaj pranoi ofertën e Skënderbeut dhe fitoi kampionatin dhe arriti ta kualifikonte në Ligën e Europës. Me Kombëtaren shqiptare luajti 50 ndeshje dhe shënoi 11 gola, disa prej tyre vendimtarë dhe spektakolarë.