Shkarkimi i Zhoze Murinjos nga detyra e tij si trajner i Mançester Junajtid ka hapur skenarë shumë interesantë në futbollin europian, pasi klubi anglez ka bërë të ditur se do të emërojë një teknik të përkohshëm deri në fund të sezonit e më pas do të zgjedhë se kush do të jetë pasuesi i vërtetë i portugezit në pankinë. Në skenë kanë dalë emra të njohur si Zidan, Blank apo Poçetino, por klubi duket se i ka besuar një “ish”-i drejtimin.

Bëhet fjalë për ish-sulmuesin norvegjez, Ole Gunar Solskjaer, i cili do të zyrtarizohet në mëngjesin e të mërkurës (meqë është klub me aksione në bursë) si trajneri i ri i skuadrës angleze. Ish-futbollisti ka luajtur për 10 vite në radhët e djajve të kuq dhe ishte protagonist në finalen epike të vitit 1999 në Ligën e Kampioneve kur një nga golat e tij përmbysi Bajernin në suksesin 2-1.

Vetë klubi anglez konfirmoi gjithçka pa dashje me një postim në orët e vona të natës, të cilin e fshiu më pas me shpejtësi. “Solskjaer bëhet trajneri ynë i përkohshëm, 20 vite pasi fitoi “treshen” me ATË gol në Kamp Nou”, shkruhej në njoftimin e klubit.

Edhe kryeministrja e Norvegjisë, Erna Solberg, nuk i rezistoi tundimit dhe me një mesazh në Twitter, edhe atë të fshirë pas pak çastesh, i uroi fat trajnerin të ri të “djajve të kuq”.

Eksperienca e tij si trajner përfshin 3 vite te akademia e Mançester Junajtid, para se të shkonte te Molde e më pas Kardif Siti. Që nga viti 2015 ai drejton përsëri Molde, klub me të cilin si sukses ka fituar 2 kampionate dhe një Kupë Norvegjie. Në verën e këtij viti, në drejtimin e Molde ai u përball në turin e dytë të Europa League me skuadrën e Laçit, duke e mundur 3-0 në Norvegji dhe 2-0 në vendin tonë. /vipsport/