Kur ka ndeshje të kombëtares shqiptare, tribuna VIP , mbushet kryesisht me “tifozë” nga politika dhe VIP-a të shoqërisë shqiptare. Duke mos mjaftuar vetëm kjo, tifozët vip shfaqen zakonisht pranë Kombëtares vetëm në ditët e saj të mira, sepse kur kuqezinjtë bëjnë disa humbje, boshatisja e stadiumit ndodh sa hap e mbyll sytë.
Këtë fenomen e ka bërë të qartë dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, me një postim në rrjetet sociale ku kritikonte pikërisht këtë pjesë të tifozërisë kuq e zi.
“Të ashtuquajturit tifoza Vip që vijnë në stadiume vetëm kur jemi në fitore. Në fakt, nuk ka të papritura, Vipat tanë kudo ku ndodhen, në politike dhe jashtë saj, turren gjithmonë për t’u bërë pjesë e pamerituar e suksesit të të tjerëve”, është një pjesë e postimit të Armand Dukës në rrjetin e tij social duke kritikuar drejtpërdrejtë tifozat VIP të Shqipërisë.
Përveç kësaj një “tabu” tjetër në Shqipëri është dhe ndjekja e Kombëtares nga persona publik, politikan apo të tjerë, jo në tribunën VIP, por sëbashku me tifozët, pas porte apo në qendër.
Një mesazh për këtë e ka dhënë Presidenti i Finlandës Sauli Ninisto, i cili në ndeshjen ndaj Italisë, ka bërë gjestin e një qytetari të thjeshtë. Presidenti është kapur në foto, në tribunën ku qëndronin tifozët e kombëtares së finlandës, duke refuzuar kështu tribunën VIP. Një gjest ky i cili është përgëzuar nga të gjithë në Finland dhe jashtë saj.
Thjeshtësia e treguar nga Sauli Niniston, ndoshta duhet të merret shembull dhe nga politikanët dhe Vip-at në Shqipëri. A mund ta ndjekin politikanët shqiptarë, Kombëtaren kuq e zi nga tribuna e tifozëve? Apo kjo është një tabu dhe thjeshtësi e tepruar në Shqipëri? nesport/