Ardhja e portierit Ted Laço nga Dinamo ka rritur konkurrencën në katërkëndëshin e portës shkodrane. Bashkë edhe me Alen Sherrin dhe Krist Qarrin janë tre “gardianë” të gatshëm për të bërë më të mirën për Vllazninë.

Në miqësoren e djeshme ndaj Veleçikut, në pjesën e parë në portë ka luajtur Laço ndërsa në të dytën Qarri. Ndërkohë, portieri i parë Sherri nuk ka luajtur ngaqë siç dihet kohët e fundit ka patur një problem dëmtimi dhe për rrjedhojë stafi e ka parë të arsyeshme të mos
e aktivizojë.

Laço kësisoj është munduar të bëjë mirë dhe e ka bërë ashtu si duhet detyrën e tij në këtë miqësore. Ai ka ardhur nga Dinamo dhe më parë ka provuar të luajë edhe për Besën, Elbasanin, Korabin e Erzenin, ndërsa tani kërkon të shfrytëzojë mundësinë që iu dha për të qenë pjesë e Vllaznisë.

24 vjeçari do të tentojë të presë shansin e tij kur t’i jepet nga stafi teknik për të bërë më të mirën dhe pse jo, për t’i “rrëmbyer” vendin Sherrit. Ajo që ka rëndësi në fakt është që porta e Vllaznisë të jetë e sigurtë dhe Laço këtë mendon bashkë me dy kolegët e tjerë të portës.
www.shkodrasport.com