Nga Endri ÇINARI

Javën e kaluar korrën suksese në një garë të zhvilluar në Tiranë në kuadër të trofeut “Petrela XCO 2025”, ku në garat e mountain bike që u zhvilluan në kryeqytet u renditën në vendet e para. Fjala është për ekipin e çiklizmit Shkodramtbroadbikers ku një grup pasionatësh të biçikletës dhe sportit të çiklizmit nga Shkodra, tashmë nuk po e shohin më thjesht si një hobi, por si një disiplinë të mirëfilltë sportive.

Pjesë e skuadrës Shkodra Mountain Bikers janë sportistë si: Irma Temali, Adrit Kraja, Shemsi Qokthi, Ergys Mati e Shpëtim Kurtaj. Pikërisht Temali në kategorinë e femrave mori vendin e parë në “Petrela XCO 2025”. E ndërsa për meshkujt nga Shkodramtbroadbikers mori vendin e dytë, Adrit Kraja. E ndërsa një përfaqësim dinjitoz zhvilluan edhe sportistët e tjerë të skuadrës. Të cilët në njëfarë mënyre përfaqësuan Shkodrën në këtë aktivitet që u zhvillua javën e shkuar në Tiranë.

Por, aktivitet nuk do ndalen përas këtë fundjavë që vjen. Kjo pasi në rolin e organizatorit tashmë së bashku me Bashkinë Shkodër do organizohet kupa “Gilman Bakalli”. Po ashtu pjesë e këtij organizimi është edhe bashkëshorja e Bakallit, Irena. Dedikuar ish-politikanit të ndjerë që njihej për pasionin e tij për biçikletën dhe çiklizmin. Një aktivitet që do organizohet të dielën sërish në formën e mountain bike.

Pjesëmarrja është e lirë për këdo që do të marrë pjesë në këtë kupë, ku deri më tani siç mëson “Shkodra Sport” janë regjistruar një numër i gjerë pjesëmarrësish. Ku deri të dielën shpresa është që të ketë një numër akoma më të madh dhe të gjerë personash të përfshirë në garë. Në një sport që si bazë ka patjetër çiklizmin dhe biçikletën, por që zhvillohet në një reliev më të thyer se garat e zakonshme çiklistike.(www.shkodrasport.com)