Objektivi i Holandës nuk është vetëm të kalojë turin kundër Republikës Çeke e të sigurojë çerekfinalet apo gjysmëfinalet. Holanda e ka nisur këtë Europian me synimin për ta çuar deri në fund e përt ë fituar trofeun.
Këtë bindje e shprehu trajneri Frank De Bur, i cili në konferencën e fundit për shtyp para sfidës me Republikën Çeke ka deklaruar se skuadra kishte si qëllim që në fund të Europianit, të festonte siç ndodh zakonisht pas sukseseve të mëdha, duke notuar në kanalet e ujit që përshkojnë qytetet e mëdha në Holandë.
“Nëse do të arrijmë në çerekfinale, që do të varet nga paraqitja që do të bëjmë, mendoj se do të kemi bërë mirë.
Por ka vetëm një gjë që do të donim të bënim, të notonim në kanalet holandeze.
Ky është objektivi, jo vetëm të arrijmë në finale, por ta fitojmë atë. Ka shumë skuadra me cilësi që kanë të njëjtin objektiv me ne, ndaj nuk do të jetë e thjeshtë, por i kemi të gjitha cilësitë që duhen për ta arritur si objektiv.
Megjithatë, të gjithë duhet të funksionojnë në perfeksion. Unë jam një person pozitiv dhe them se gjithçka do të shkojë mirë”, tha De Bur. /vipsport/