Atleti shkodran Franko Burraj do të konkurrojë këtë fundjavë në Kampionatin Europian të shteteve të vogla dhe do të tentojë suksesin. Sipas kalendarit, garat e këtij kampionati sivjet do të organizohen në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Në të do të marrin pjesë sportistë nga 15 vende të ndryshme të Europës duke filluar nga Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnja, Islanda, Maqedonia e Veriut, Kosova, Moldavia, Serbia, Monaco, Andora etj.
Në mes atletëve që do të përfaqësojnë vendin tonë në këtë aktivitet është edhe ai I Vllaznisë Franko Burraj. I shoqëruar nga trajneri Bruno Rrotani, ai do të tentojë medaljen e artë në garën e 400 metrave në këtë Kampionat Europian. Njëkohësisht edhe thyerjen e rekordit të ri kombëtar në këtë disiplinë sportiv, rekord që mbahet nga vetë ai.
Gjendja fizike e sportistit shkodran duket e mirë sepse pavarësisht temperaturave të larta, është munduar të punojë fort në stërvitje. Burraj vjen nga Kampionati Europian I 23 vjeçarëve që u zhvillua muajin e kaluar në Suedi dhe ku zuri vendin e 5-të nga 36 pjesmarrës.
Natyrisht që në garat e Shkupit do të luftojë fort për të qenë në podium me medaljen e artë në qafë megjithatë duhet pritur zhvillimi I saj sepse në sport gjithmonë ka të papritura. Por ajo që të bën përshtypje është se ndonëse kemi të bëjmë me një sportist të nivelit të lartë, ende asnjë sponsor nuk I është ofruar!!!
Megjithatë ai bashkë me trajnerin Rrotani vazhdojnë të punojnë fort dhe arritjet nuk I kanë munguar dhe as nuk do t’I mungojnë.
www.shkodrasport.com