Dita e sotme nuk ka qenë e mirë për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare Frederik Veseli, i cili është bërë protagonisti i ditës në Itali. Futbollisti i cili aktivizohet me Empolin ka qenë i pafat në minutat shtesë të takimit të skuadrës së tij në Serinë B ndaj Trapanit, duke i hequr suksesin nga duart ekipit i cili shihet nga të gjithë si kandidat kryesor për kthimin në elitën e fubtollit italian.
Ndaj një prej skuadrave më modeste të Serisë B, pritej që Empoli të dominonte qetësisht por kështu nuk ka ndodhur në fushën e lojës, pasi Trapani u tregua shumë kërkues dhe rrezikoi disa herë portën.
Gjithsesi, Empoli kryesonte 2-1 deri në minutat e fundit të sfidës dhe dukej se po shkonte drejt suksesit të siguruar edhe falë të riut Nedim Bajrami i cili kishte shënuar një nga dy golat.
Por në shtesën e takimit, në minutën e 97, portieri Brinjoli duke u përpjekur të largonte topin nga zona, e përplasi atë te Veseli dhe sfera përfundoi në rrjetë, për të barazuar rezultatin në 2-2.
Një pikë e papritur për vendasit dhe një goditje e rëndë për Empolin që humbi mundësinë për t’u kthyer në kreun e tabelës së klasifikimit të Serisë B. /vipsport/