Bekim Balaj i ka dhënë fund thatësisë që zgjaste prej thuajse një muaji në kampionatin austriak të futbollit ku vesh fanellën e Shturm Grac. Dhe ashtu si në ndeshjen e fundit kur shënoi gol, kjo ka përkuar me një fitore për skuadrën e tij e cila fillon edhe një herë luftën e saj për t’iu bashkuar grupit të skuadrave që duan të sigurojnë një vend në Europë në edicionin e ardhshëm.

Sulmuesi, titullar në radhët e Shturm Grac, gjeti rrjetën me një penallti në pjesën e dytë të duelit ndaj St. Polten, që mban vendin e fundit në klasifikimin e kampionatit austriak.

Kur rezultati ishte 2-0 për ekipin e tij, Shturm Grac fitoi penallti dhe ekzekutimi i saj iu la Balajt, në mënyrë që shkodrani të kthehej te goli që i mungonte.

Sulmuesi e ekzekutoi qetësisht me saktësi duke çuar shifrat në 3-0, ndërsa më pas skuadra e tij shënoi edhe golin e katërt me të cilin vulosi suksesin në këtë ndeshje. Për Balajn, ky ishte goli i 5 në kampionatin austriak të futbollit, në 11 ndeshje të luajtura atje. /vipsport/