Nuk dinë të ndalen çudirat në futbollin shqiptar. FSHF-ja vazhdon të bëjë lëmsh garën, duke i çoroditur skuadrat, stafet teknike dhe vetë lojtarët. Kategoria e Parë rinisi më 9 dhjetor, por për t’u ndalur sërish…
Pas një muaji totalisht të padomosdoshëm pushim (prej kampionatit botëror që po zhvillohet në Katar), do të kemi një tjetër pauzë. Këtë herë më të shkurtër në fakt, prej vetëm 9 ditësh.
Java e 12-të mund të luhej fare mirë këtë fundjavë, por Sektori i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, ka menduar që të luhet mesjavën e ardhshme. Pra, ndeshjet e radhës do të luhen më 21 dhjetor.
Një vendim më shumë se absurd, që çorienton edhe programin stërvitor të trajnerëve. Të vendosur para kësaj situate, ata janë detyruar që me t’u mbyllur java e 11-të, të lënë dy ditë ose më shumë pushim lojtarët, për të rinisur ndoshta sot me përgatitjet për javën e parafundit.
Akoma më e papranueshme është ndalesa e Kategorisë së Dytë, që në total do të pushojnë 38 ditë. Kjo ligë u ndal më 13 nëntor dhe rifillon më 21 dhjetor, për të luajtur dy javët e fundit të fazës së parë.
Është rast unikal në mbarë botën që niveli i dytë dhe i tretë i futbollit, të jenë stopuar se po luhet Botërori. Mos të shkojmë shumë larg, mjafton të përmendin faktin që Seria B nuk e ndali kurrë aktivitetin…/panorama-sport/