Endri Çekiçi është ndalur të flasë për jetën sportive dhe Kombëtaren. I ndodhur në Shqipëri për pushime, pogradecari ka treguar për “Ora News” se forma e tij sportive është në rritje, duke i dërguar kështu një “sms” trajnerit Reja.

Lojtari i Olimpija Ljubjanës në Slloveni ka treguar edhe rolin e ri në fushë, si dhe tratativat për të marrë passaportën kroate, gjë që do e ndimonte shumë për një lëvizje të mundshme në klubet europiane.

Endri Çekiçi dhe Kombëtarja e Edi Rejas?

Besoj se kjo është një pyetje që i takon Rejës. Unë e ndjej shumë fanellën e Shqipërisë dhe do të jem gjithmonë në pritje të asaj fanelle dhe do të jap maksimumin që një ditë ta vesh atë. Besoj se shumë shpejt do ta bëj një gjë të tillë.

Afrimi në Kombëtaren A?
Momentalisht nuk kemi pasur kontakte. Jam në dijeni që ka ardhur Reja dhe më ka ndjekur në disa ndeshje por kontakte nuk ka. Reja është gjysmë slloven dhe shpresoj që të vij më shpesh për të parë kampionatin slloven (qesh).

Kam vetëm pasaportë shqiptare. Jam në procedura për pajisjen me pasaportë kroate. Shpresoj që nuk do të zgjas shumë pasi më duhet për transferimin e ardhshëm. Do të ishte një plus shumë i madh për mua. Me ardhjen e trajnerit të ri te Olimpia, ai më tha se do të më provojë në rolin e 10-ës.

Është një pozicion që unë e kisha luajtur edhe më përpara si te Dinamo ashtu edhe te kombëtarja U-21. Por pozicioni im natyral është sulmues i majtë. Që nga ardhja e tij, unë luaj në atë pozicion ku po bëj ndeshje të mira dhe mbeta në atë pozicion. Momentalisht ndihem mirë edhe në pozicionin e numrit 10 dhe si sulmues i majtë”, ka shtuar Çekiçi mes të tjerash.