Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë një ultimatum të çuditshëm Policisë së Shtetit nëpërmjet një komunikate zyrtare ku i kërkonte forcave të rendit të ishin të pranishëm në stadium. Ndonëse sot u bë e qartë se nuk ishte e mundur të kthehej policia në impiante pa amenduar ligjin, FSHF insiston që kjo gjë të ndodhë që në ndeshjet e Kupës.
Për më tepër, ajo i ka bërë ultimatum Policisë që të kthejë përgjigje pozitive brenda mesditës së të mërkurës, por pa specifikuar se çfarë do të ndodhte nëse nuk mbërrinte kjo përgjigje pozitive.
DEKLARATA
FSHF nis bashkëpunimin, kërkon Policinë e Shtetit
Federata Shqiptare e Futbollit, menjëherë pas takimit të organizuar sot, me pjesëmarrjen e Kryeministrit dhe drejtuesve të dikastereve më të rëndësishme të kabinetit qeveritar, ka vendosur që të fillojë menjëherë komunikimin me institucionet shtetërore për të rikthyer normalitetin në futbollin shqiptar.
Në një shkresë, drejtuar sot, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, z. Ardi Veliu, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Z. Ilir Shulku i kërkon Policisë së Shtetit bashkëpunim. “Në vijim të kësaj fryme bashkëpunimi dhe në kuadër të angazhimeve publike të ndërmarra nga të gjithë aktorët, duke synuar rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në aktivitetet futbollistike, ju drejtohemi me këtë kërkesë për marrjen përsipër të ndeshjeve të parashikuara të kalendarit sportiv në respektim të parimit të sigurisë parashikuar nga Neni 4/d) i Ligjit 79/2017 që ka të bëjë me ushtrimin e veprimtarive sportive në një mjedis të sigurt” – thotë fillimisht shkresa e firmosur nga kreu i ekzekutivit të FSHF.
Më pas, në shkresën e FSHF, bëhet e qartë nevoja e pranisë së Policisë së Shtetit në aktivitetet futbollistike, gjë që është theksuar edhe në konkluzionet e takimit të sotëm me krerët më të lartë të shtetit. Kërkesa e institucionit të futbollit vijon: ”Duke ju siguruar angazhimin maksimal FSHF dhe anëtarëve të saj, përsërisim nevojën aktuale për praninë e forcave të rendit brenda ambienteve sportive, duke filluar nga ndeshjet e ditës së nesërme datë 12.03.2019”.
Në shkresën e Federatës, kujtohet se pikërisht për arsye sigurie, është bojkotuar aktiviteti futbollistik në vend, nga ana e Shoqatës Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar. Ndërkohë FSHF, thekson se pret një përgjigje për angazhimin e forcave të rendit, deri nesër në mesditë dt. 12.03.2019.