Superiorja do të rinisë, por ende nuk ka një datë. Federata Shqiptare e Futbollit është gati dhe ka kërkuar nga qeveria që të ndezë “dritën jeshile” për rifillimin e kampionatit.
TV Klan ka siguruar edhe dokumentin ku FSHF-ja i kërkon zyrtarisht qeverisë për të rinisur aktivitetin futbollistik në vend. Tashmë pritet një përgjigje nga instancat përkatëse, veçanërisht nga Ministria e Sporteve dhe e Shëndetësisë që do të japë direktivat e nevojshme sa i përket mënyrës se si do të veprohet në stërvitje apo në stadiume.
Sipas këtij dokumenti, FSHF-ja i kërkon qeverisë që skuadrat të nisin përgatitjet në datën 2 maj dhe në 24 maj të rinisin kampionatet, sigurisht pa praninë e tifozëve. Gjithashtu FSHF-ja shpreh gatishmërinë për t’u ulur në bisedime për të gjetur një dakortësi me qeverinë për rinisjen e kampionatit.
Prej më shumë se 1 muaji futbolli në vend është ndalur për shkak të situatës së krijuar nga Coronavirusi. Shifrat e fundit të personave të infektuar me COVID 19 kanë qenë inkurajuese dhe po shpresohet nga dita në ditë që numri i tyre të ulet për të rifilluar jetën normale.
Në këto kushte në Federatën Shqiptare të Futbollit e kanë parë të udhës që futbolli të rinisë, po për këtë duhet fillimisht “OK”-ja nga qeveria./newsport/