Federata e Futbollit do të organizojë edicionin e katërt të Mbrëmjes Gala “Topi i Artë 2025”, një prej eventeve më të rëndësishme dhe prestigjioze të futbollit shqiptar.
Në mbledhjen e fundit, Komiteti Ekzekutiv miratoi datën, vendin dhe producentin ekzekutiv të edicionit të sivjetshëm të këtij spektakli.
Pas suksesit të arritur në edicionin e kaluar, është vendosur që Ardit Gjebrea, artisti dhe moderatori i njohur shqiptar, të jetë sërish në krye të drejtimit si producent ekzekutiv i eventit. Mbrëmja Gala “Topi i Artë 2025” do të zhvillohet më 15 dhjetor, në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ky është një nga eventet më të rëndësishme dhe prestigjioze të futbollit shqiptar, që çdo vit bën bashkë figurat më të spikatura të futbollit jo vetëm në vend, por personalitete të shquara ndërkombëtare, figura të njohura nga futbolli botëror, përfaqësues të botës akademike, artit, politikës, medias dhe miq të Federatave të tjera.









