Një epoke i ka ardhur fundi dhe një tjetër e re pritet të nisë. Futbolli europian po përballet me një rigjenerim brezash, teksa lojtarët që kanë shkruar historinë në dy dekadat e fundit po largohen një e nga një.
Ronaldo, Mesi dhe Benzema u larguan nga Europa dhe tashmë i vetmi fitues aktiv i Topit të Artë që luan në Kontinentin e Vjetër është Luka Modriçi, megjithëse nuk do ta bëjë një gjë të tillë edhe për shumë kohë.
Largimi i Ronaldos dhe tashmë i Mesit i jep fund dominimit shumevjeçar të dy ikonave të futbollit botëror në top 5 ligat më të mira të këtij sporti.
Një rivalitet që ka shoqëruar prej vite futbollin e që ka bërë tifozë nga mbarë bota të dashuroheshin gjithnjë e më shumë me këtë sport, duke i bërë edhe më të bukura e emocionuese përballjet në fushën e lojës.
Por koha ecën pa u ndalur dhe ashtu siç rrokulliset topi në tapetin e gjelbër, rrokullisen edhe epokat. Epoka Mesi-Ronaldo përfundoi dhe Europa është gati të shijojë një epokë të re, atë Haland-Mbape./Sport Ekspres/