Shkruar nga Endri ÇINARI
Në gjysmëfinalen e parë të Kupës, mes Vllaznisë dhe Dinamos, e mbyllur në barazimin 1-1, vëmendja u përqendrua te dyshja sulmuese e kuqebluve, Kevin Dodaj dhe Çarls Bismark, të cilët u besuan si titullarë nga minuta e parë. Një zgjedhje e guximshme nga stafi teknik, sidomos duke pasur parasysh se kapiteni Bekim Balaj e nisi këtë sfidë nga stoli.
Megjithatë, ofensiva e Vllaznisë nuk shfaqi asnjë luhatje. Përkundrazi, dyshja Dodaj-Bismark solli energji, ritëm dhe rrezikshmëri të vazhdueshme në zonën kundërshtare. Lëvizjet e tyre pa top dhe bashkëpunimi në hapësira të ngushta krijuan disa momente të vështira për prapavijën e Dinamos, duke dëshmuar se skuadra shkodrane ka alternativa cilësore në repartin ofensiv.
Kulmi i paraqitjes së tyre erdhi në aksionin e golit të avantazhit për kuqeblutë. Ishte Dodaj ai që shfaqi qartësi dhe vizion, duke dhënë një asist të saktë për Bismark, i cili nuk gaboi përballë portës. Një kombinim që jo vetëm prodhoi gol, por edhe konfirmoi rritjen e kimisë mes dy sulmuesve.
Kjo paraqitje merr edhe më shumë vlerë në një ndeshje të këtij niveli, ku presioni është i lartë dhe çdo detaj bën diferencën. Fakti që Balaj ishte në stol nuk ndikoi negativisht, përkundrazi, tregoi se Vllaznia ka thellësi në skuadër dhe mund të mbështetet te alternativa të besueshme në çdo moment.
Për trajnerin Edi Martini dhe stafin e tij, ky është padyshim një sinjal shumë pozitiv. Forma në rritje e Dodajt dhe Bismarkut vjen në një moment kyç të sezonit, aty ku objektivat bëhen më konkretë dhe kërkohet kontribut maksimal nga çdo futbollist.
Nëse dyshja sulmuese vijon në këtë trajektore, ata mund të shndërrohen në armë vendimtare për Vllazninë në këtë fund sezoni. Me besim, vazhdimësi dhe mbështetje nga skuadra, Dodaj dhe Bismark po japin sinjale të qarta se janë gati të marrin përgjegjësi dhe të bëjnë diferencën në momentet më të rëndësishme.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


