Fushata elektorale e sivjetme që tashmë po shkon drejt fundit, do të mbahet mend për angazhimin e madh të njerëzve të sportit në të. Janë jo pak njerëz të cilët janë në listën e kandidatëve ose po bëjnë fushatë për parti të ndryshme politike. Diçka shumë interesante në fakt sepse këto njerëz të sportit duke qenë të pranishëm në listat e partive politike (sidomos ato kryesoret) I kanë bërë drejtuesit e tyre të bëjnë investime në sport. Dhe kjo vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Premtime për ndërhyrje në stadiumin “Loro Boriçi”, ndërtimi I një kompleksi të ri sportiv, ndërhyrje në pistën e atletikës apo dhe ndërtimi I tre fushave të futbollit, janë disa nga premtimet e bëra gjatë këtyre ditëve nga liderët e këtyre forcave politike. Kandidatët. Janë disa në fakt të përfshirë në listat e partive politike në fushatën e këtij viti. Në listën e PD-së bën pjesë drejtori sportiv I Vllaznisë Armir Grima. Në listën e PS-së bëjnë pjesë ish- mundësit Paulin Sterkaj dhe Sait Fishta. Në listën e LSI-së ndërkohë siç dihet,  bën pjesë presidenti I Vllaznisë Agron Çela dhe trajneri Artan Bushati. Në listën e PDK-së bën pjesë presidenti I ekipit të futbollit të femrave “Juban Danja’ Ferdinand Jaku ndërsa në listën e PBDNJ-së bën pjesë ish- futbollisti I Vllaznisë dhe ish-presidenti I Tërbunit Erogen Vaso. Në listën e PLL-së ndërkohë është edhe ish-trajneri I Adës Samuel Nikaj. Për të mos përmendur këtu edhe faktin tjetër që Namik Kamberi, kandidat I PR-së dhe Pjetër Boshi, kandidat I PDK-së në rininë e tyre janë marrë me sport. Numri rritet edhe më shumë nëse kandidatëve u themi se janë familjarë të figurave të shquara të sportit shkodran dhe atij shqiptar në vite
Luçi e Vajushi. Sikur të mos mjaftonin kandidatët e mësipërm, në fushatë ditët e fundit janë implementuar fuqishëm edhe dy figura të tjera të futbollit, pikërisht Roland Luçi dhe Armando Vajushi. I pari ka ardhur posaçërisht nga Austria për të qenë përkrah mikut të tij Artan Bushati në këtë fushatë por edhe pranë Agron Çelës, të dy këto kandidatë të forcës politike LSI. Luçi, një ish- futbollist I njohur I Vllaznisë në vitet ’70- ’80 por edhe trajner I saj për një periudhë të shkurtër, në këtë ardhje të tij  natyrisht që ka ardhur edhe me ide interesante pikërisht për t’ua bërë edhe më të bukur dhe më interesante fushatën atyre. Kuptohet, duke patur Brenda edhe diskutimet e qarta për sportin sesi duhet që ai të jetë një pjesë e rëndësishme e programit të kësaj force politike. Ndërkohë, ardhja e futbollistit Vajushi në Shkodër për të kaluar disa ditë pushime pranë familjes së tij, është shfrytëzuar prej tij edhe për fushatë elektorale. Ai për disa ditë me rradhë, është parë në mitingjet e PD-së, duke qenë përkrah kryeparlamentares Topalli madje nuk ka ngurruar as të marrë mikrofonin në dorë dhe të premtojë votën e tij për numrin 44. Duken fakte shumë interesante.

Sporti dhe politika. Njerëzit e futbollit në veçanti por edhe ato të sportit në tërësi, duken  të përfshirë ethshëm në fushatë. Shumë prej tyre pa asnjë interes, thjesht duke bërë tifo për “skuadrën- parti” të tyre të zemrës. Deri nesër me siguri që këto njerëz do jenë të ndarë në llogore të kundërta por nga e hëna do bashkohen të gjithë sëbashku në partinë e sportit. Ajo është në fakt më e mira nga të gjitha. Por nëse sot njerëzit e sportit po ndihmojnë partitë, sigurisht që këto forca politike duhet ta ndihmojnë sportin. Duke I hedhur sytë më shumë drejt tij. Mbi të gjithë në investimet në infrastrukturë që lë shumë për të dëshiruar. Premtime në Shkodër në fakt janë bërë boll gjatë kësaj fushate. Ajo që mbetet të shohim është se kush do të fitojë dhe sa do t’I mbajnë premtimet e tyre në katër vitet e ardhshme.
Gjergj KOLA