Që prej momentit kur futbolli në gjithë botën u ndal si pasojë e koronavirusit, një nga shqetësimet kryesore ka qenë ai i kohëzgjatjes së kontratave të futbollistëve. Me shtyrjen e kampionateve, ekipet, sidomos ata shqiptare, rrezikojnë të mbeten pa lojtarë, pasi afatin e përfundimit të kontratave ose të huazimeve me pjesën dërrmuese e kanë në qershor.

FIFA bëri të ditur se do të shtynte fundin e kontratave përtej kësaj date. Udhëzimi i publikuar nga organizata botërore ishte që klubet të gjenin akordin me lojtarët për vazhdimin e kontratave përtej kësaj date, pasi maksimumi që mund të bënte ishte të bllokonte transferimin e tyre në klube të tjera derisa të mbyllej kampionati.

Por FIFA nuk detyron futbollistët që të qëndrojnë në klubet e tyre nëse u mbaron kontrata në një datë të caktuar këtë vit edhe nëse sezoni nuk është i mbyllur. Dhe në rastin e futbollit shqiptar kjo është alarmante, pasi shumica e lojtarëve në kampionatin shqiptar kanë kontrata sezonale, që nisin në gusht apo shtator dhe përfundojnë në fund të majit ose në qershor.

Por nuk mbaron këtu, pasi futbollistët në Shqipëri kanë kontrata shërbimi dhe jo pune, çka do të thotë se rregulli i FIFA-s nuk i detyron dot të qëndrojnë të luajnë pas përfundimit të afatit. Duke marrë parasysh edhe faktin që shumë klube në Shqipëria kanë probleme me rrogat, futbollistët mund të ndërprisnin pjesëmarrjen në stërvitje apo kampionat kur të donin.

FSHF planifikon që skuadrat të kthehen në fushë në fund të muajit maj, por shumë prej ekipeve të Superiores kanë kontrata që u përfundojnë më datë 31 të atij muaji dhe mund ta shohin veten pa disa elementë cilësorë nëse nuk vihen në lëvizje që tani për të gjetur marrëveshjen me ta./konica/