Zyrtarisht aventura e ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë është mbyllur pasditen e sotme. Me fitoren 2-0 ndaj Bettembourg, ai është renditur në vendin e dytë në grupin 10. Ka arritur të fitojë 2 ndeshje (1-0 me SFK2000 të Sarajevos dhe 2-0 me Bettembourg të Luksemburgut) ndërsa ka humbur me një gol të pësuar në minutat shtesë ndaj PAOK.

Kjo e fundit, i ka fituar të tre ndeshjet dhe me 9 pikë të grumbulluara ka zënë vendin e parë duke siguruar kalimin për në turin e dytë të Champions League. Por jo gjithçka ka përfunduar. Drejtuesit e Vllaznia femra kanë paraqitur një reklamim në Komisionin Disiplinor të UEFA-s për ekipin grek që në dy ndeshjet e para ka aktivizuar futbollisten Tsakiri me emrin e futbollistes tjetër Giannou që nuk kishte udhëtuar fare me ekipin drejt Bosnjës për të marrë pjesë në këto ndeshje. Një dënim i mundshëm i PAOK, do të thotë se Vllaznia do të kualifikohet për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të këtij sezoni dhe kjo është plotësisht e mundshme nëse UEFA dëshiron të zbatojë rregullat dhe ligjet e futbollit.
© shkodrasport.com