Indrit Tuci transferohet në Çeki. Sulmuesi i talentuar shqiptar, ka hedhur një hap përpara duke kaluar nga Lokomotiva e Zagrebit te Sparta e Pragës, aty ku do të ketë shok skuadre Qazim Laçin.
Me anë të një postimi zyrtar, klubi kroat ka njoftuar shitjen e 23-vjeçarit te kampionët në fuqi dhe 37 herë fituesit e titullit në futbollin çek.
Akordi mes dy klubeve është arritur për shumën 1 mln euro, ndërkohë që Lokomotiva e Zagrebit ka ruajtur edhe përqindje nga kartoni i Tucit. Që pritet të sjellë fitime të tjera në të ardhmen nëse Sparta e shet.
Shtatlarti kurbinas e mbylli aventurën kroate me 115 ndeshje, 21 gola dhe 11 asiste. Tuci numëron 7 ndeshje dhe 1 gol me Shqipërinë U21.
“Dua t’i falënderoj të gjithë te Lokomotiva, të gjithë shokët e skuadrës dhe trajnerët me të cilët kam punuar. Lokomotiva më ka dhënë shumë, mbi të gjitha më mundësoi të njoh dhe të dua Zagrebin dhe Kroacinë.
Kam bërë shumë miq këtu. Ju jam mirënjohës për mundësinë e nisjes së aventurës së re me Spartën e Pragës. Do ta ndjek gjithmonë Lokomotivën dhe kam besim se shokët e skuadrës do të vazhdojnë me rezultate të mira”, u shpreh Tuci.
“Suksese Indrit! Të urojmë fat, shëndet dhe suksese sportive te Sparta“, lexohet në urimin e klubit nga Zagrebi.
Sparta e Pragës kryeson kampionatin çek me 50 pikë, 5 më shumë se Slavia ndjekëse që numëron një ndeshje më pak. Ekipi i ri i Tucit ka siguruar edhe kualifikimin në raundin e 1/16-ve në Europa League, ku do të përballet me turqit e Galatasarayt.