Shqipëria ka triumfuar në Leskovac në mbrëmjen e të shtunës duke mbyllur në mënyrën më të mirë raundin e 7 të ndeshjeve të kualifikueseve të Botërorit për zonën e Europës.

Shumë futbollistë të kuqezinjve spikatën me lojën e tyre në këtë ndeshje, e një ndër ta ishte edhe Thomas Strakosha.

Gardiani i kuqezinjve ishte i pakalueshëm në këtë duel, duke ndalur çdo tentativë drejt katërkëndorit të tij. Ndaj për paraqitjen e tij në këtë sfidë, është zgjedhur nga “SofaScore” si pjesë e formacionit ideal të raundit të 7 të ndeshjeve.

Duke marrë për bazë paraqitjen e tij në këtë duel, falë statistikave që regjistroi ndaj Serbisë, Strakosha mori notën 8,4, duke qenë portieri më i vlerësuar për këtë raund në të gjitha ndeshjet. Kështu, ai rreshtohet në një formacion ku ka emra të tjerë shumë të njohur si Xhoshua Kimish në mesfushë apo edhe Kilian Mbape e Kodi Gakpo në sulm.