Merkato do ende edhe pak kohë që të hapet, por duket se lëvizjet e para të futbollistëve janë projektuar. Përjashtim nuk bëjnë as lojtarët e Vllaznisë dhe më konkretisht, Kaina. Sulmuesi që u diskutua edhe në janar që mund të largohej duket se do zyrtarizojë gjithçka në merkaton verore. “Shkodra Sport” mëson se për të ka interes jo vetëm nga Superliga.

Kjo pasi dihet prej kohësh interesimi i Tiranës për shtatlartin brazilian. Por kryeqytetasit nuk duken pista e vetme për ish-sulmuesin e Besës.

Për 25-vjeçarin ka opsion edhe në kampionatin e futbollit në Qipro e po ashtu në Arabinë Saudite. Emrat e klubeve për momentin nuk bëhen të ditur, por këto duken dy destinacione shumë serioze për sulmuesin.

Kaina në këtë sezon me Vllazninë nuk ka qenë një opsion si titullar për ekipin. Megjithatë ai ka arritur që ti shënojë 4 gola në kampionat. Por aventura e tij me 9 herë kampionët e vendit duket se do përfundojë në këtë sezon.

Ku braziliani e ka mbajtur fanellën kuqeblu të veshur për 2 sezone. Ku në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar ishte i huazuar tek Kastrioti duke i ndihmuar krutanët që të mbijetonin.
Endri ÇINARI