Armando Dobra është një nga talentet, që po bind dhe jep shpresa se do të jetë një nga yjet e kombëtares kuqezi në një të ardhme të afërt. Anësori ka arritur të bëjë mirë të skuadra e të rinjve të Ipsuiç dhe duket se ka bindur klubin të rinovojë kontratën me të riun.

I ardhur këtë verë te skuadra ishullore, Dobra ka arritur të vendosë disa ndeshje të rëndësishme me golat e asistet e tij për Ipsuiç U23 dhe ka bindur trajnerin ta integrojë në ekipin e parë, ku ka i janë rezervuar edhe disa minuta në dispozicion.

Vetëm 18 vjeç dhe shumë i talentuar, Dobra ka bërë që anglezët të fillojnë të bisedojnë për të hartuar një kontratë me terma afatgjata për talentin e kombëtares shqiptare. Mediet angleze konfirmojnë se prej muajsh përfaqësuesit e lojtarit dhe klubi kanë nisur negociatat për rinovimin e kontratës, që përfundon në fund të kësaj vere.

Mbetet për tu parë se si do të jenë zhvillimet për këtë çështje, me Dobrën që mund të jetë duke shqyrtuar edhe oferta të tjera të ardhura në drejtim të tij.Djaloshi është pjesë e kombëtares së moshave të Shqipërisë, por nëse vazhdon kështu pritet të ketë mundësi të debutojë edhe me ekipin e parë të kombëtares shqiptare.

Vetë trajneri i kuqezinjve, Edi Reja ka shprehur qartë se lojtarët e lindur pas viteve 2000 do të ndiqen me kujdes nga ai dhe stafi i kombëtares. Dobrës i mbetet të qartësojë të ardhmen e tij për sezonin e ardhshëm, ku e rëndësishme është të jetë pjesë e një ekipi, që do i rezervojë minuta në këmbë./vipsport/