Kampionati kombëtar I peshëngritjes për të rritur mund të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Vendimi pritet të merret këto ditë nga kryesia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në fakt, ky kampionat duhej të ishte zhvilluar që në muajin mars si zakonisht, por mos hapja e fondeve nga ana e Qeverisë për këtë federatë, bëri që ky aktivitet të shtyhet. Tashmë fondet e Federatës janë hapur dhe Federata do të organizojë kampionatin e të rriturve. Janë duke u shqyrtuar të gjithë variantet e mundshme dhe organizimi I tij në Shkodër është një mundësi serioze.

Kjo ngaqë ka shumë e shumë vite që kampionati I të rriturve nuk zhvillohet në këtë qytet. Vitet e fundit pengesë ka qenë gjendja jo e mirë e parketit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi” por fakti që ky parket tashmë do prishet për t’I lënë vendin të riut, jep mundësinë për të zhvilluar në të garat e kampionatit të peshëngritjes para se ai të prishet përfundimisht. Vendimi për datën dhe vendin e zhvillimit të këtij kampionatit do të merret Brenda një apo dy ditësh por e rëndësishme është që Vllaznia konsiderohet edhe favoritja kryesore për të fituar titullin kampion si ekip. Rivalitetin kryesor ajo do ta ketë me ekipin e Elbasanit megjithatë me sportistë të tillë si Erkand Qerimaj, Marjan Bregu, Isa Bala, Xhulio Prroni, Emanuel Lushi, Gridi Jahja e të tjerë, shkodranët pretendojnë titullin. Trajnerët Muhamet Tuzi, Genc Barkiçi dhe Artur Lagja janë të vetëdijshëm se titulli u takon atyre nisur nga puna e bërë gjatë gjithë vitit me sportistët.
© shkodrasport.com