Vllaznia është shpallur kampione e Shqipërisë edhe për të rinj në basketboll. Ajo ka triumfuar në finale ndaj ekipit të Teutës me rezultatin 62 me 47 në një ndeshje që ka dhuruar shumë emocione. Vllaznia dhe Teuta kanë qenë ekipet më të mira të kampionatit dhe këtë e kanë treguar edhe në ndeshjen finale e cila është ndjekur nga një masë e madhe spektatorësh. Ekipi shkodran e ka nisur që në minutën e parë në avantazh dhe atë e ka ruajtur deri në fund teksa është dëgjuar vërshëllima e gjyqtarit dhe basketbollistët bashkë me stafin drejtues dhe tifozët kanë shpërthyer në delir. Më pas është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të medaljeve nga ana e presidentit të Federatës Shqiptare të Basketbollit Avni Ponari dhe sekretari I saj Korab Llazani. Ka qenë presidenti Ponari ai që ka dorëzuar në fund edhe kupën në duart e kapitenit të Vllaznia Oraldo Bushati. Basketbolli në Shkodër kësisoj është kthyer në modë kohët e fundit. Vetëm Brenda këtij sezoni janë marrë tre trofe, çka nuk kishte ndodhur prej vitesh dhe ajo që është më e rëndësishmja, pallati I sportit është mbushur me tifozë.

© shkodrasport.com