Ashtu siç pritej, dy boksierë shkodranë që ishin pjesë e kombëtares shqiptare të 18 vjeçarëve që mori pjesë në turneun ndërkombëtar të Prishtinës, kanë zënë vendet e apra duke merituar edhe medaljet e arta. Bëhet fjalë për boksierët Erald Muhja dhe Syrjan Marinaj. Ata kanë triumfuar në finale ndaj dy boksierëve vendas pasi më parë kishin kaluar në gjysmëfinale kundërshtarë nga Hungaria dhe Bosnjë- Hercegovina. Ndeshjet kanë qenë të një niveli të lartë, nisur nga ajo që pjesmarrës në këtë edicion të turneut  me emrin “Lah Nimani” kanë marrë pjesë boksierë nga 9 vende të Rajonit.

Shqipëria ka marrë pjesë në të me 4 sportistë por Rexhildo Zeneli dhe Krenar Zeneli nuk kanë arritur dot të kalojnë në finale. Atë e arritën dy sportistët e tjerë. Erald Muhja në peshën 69 kilogramë ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke I mundur të gjithë kundërshtarët dhe në fund, jo vetëm që ka zënë vendin  e parë dhe ka marrë medaljen e artë, por është nderuar nga organizatorët edhe me kupën e boksierit më teknik të turneut. Po ashtu, boksieri tjetër Syrjan Marinaj, ka triumfuar në peshën 81 kilogramë duke zënë edhe ai vend të parë. Në këtë mënyrë, është mbyllur një tjetër aktivitet për boksierët shkodranë të cilët edhe njëherë tjetër kthehen me medalje në Shqipëri duke nderuar klubin Vllaznia, pjesë e të cilit janë, por edhe Shqipërinë që përfaqësojnë në këto aktivitete ndërkombëtare. Megjithatë trajneri Zef Gjoni nuk kënaqet me kaq. Ai natyrisht bashkë me sportistët e tij pretendon rezultate edhe më të larta sportive sidomos në aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit.

Gjergj KOLA