Sfida me Shqipërinë e motivon maksimalisht mesfushorin turk të Celta Vigos Okay Yokuslu. 25-vjeçari “firmos” vetëm për fitore në “Loro Boriçi” të premten e ardhshme. Në një deklaratë për mediat turke, Yokuslu u shpreh se ndaj Francës, në sfidën e 8 qershorit, Turqia duhet të ketë 6 pikë në klasifikim në grupin H për të qëndruar në garë për kualifikim në kampionatin e ardhshëm europian.

“Ne do të fillojmë eleminatoret duke luajtur përballë Shqipërisë dhe këtë ndeshje duhet që të jemi kompakt dhe të luajmë si një ekip i vetëm. Duhet të marrim pikët maksimale, që kur të luajmë me Francën të jemi 6 pikë.

Dëshira ime është që të jem në formacionin titullar në atë ndeshje, por çdo gjë është në dorë të trajnerit dhe unë respektoj çdo vendim të tij”, bëri me dija Yokuslu.

Turqia emëroi pak kohë para sfidës me Shqipërinë Senol Gunes si teknikun që do të drejtojë kombëtaren euroaziatike drejt synimit për të marrë pjesë për herë të pestë në kompeticionin më të madh të futbollit europian.

Rivalët tanë në 22 mars arritën rezultatin më të mirë në vitin 2008 në kampionat europian, teksa u renditën mes 4 më të mirave të turneut./newsport/