Futbollistja shkodrane Alma Hilaj ka shkëlqyer në ndeshjen e rradhës të kampionatit italian Seria A me skuadrën e saj Genoa duke kontribuar në fitoren e saj me rezultatin 3-1 ndaj ekipit Ternana. Ajo ka shënuar golin e parë të ndeshjes dhe më pas ka dhënë edhe një asist tek goli i tretë.
Nisur edhe nga kjo paraqitje e saj, por edhe nga statistikat e ndeshjes, Hilaj e cila luan si mesfushore qendre është zgjedhur si lojtarja më e mirë e ndeshjes, duke qenë një tjetër gëzim për ekipin e saj që mori fitoren e parë në kampionat.
Por jo vetëm kaq. Si rrjedhojë e kësaj paraqitje, ish- lojtarja e “Juban Danja” në kampionatin shqiptar është përzgjedhur në formacionin më të mirë të javës së tretë të Seria A për femrat. Një vlerësim mëse i merituar për këtë lojtar e cila ka njohur hapa galopant në karrierën e saj.
Nga “Juban Danja” tek Florentia fillimisht në Itali, më pas tek Fiorentina, ndërsa në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Comos, para se të kalonte këtë sezon tek Genoa, ku jo vetëm po luan rregullisht si titullare, por edhe po shndërrohet në protagoniste për ekipin e saj.
Me Genoan luan edhe një tjetër lojtare e kombëtares shqiptare, ish- mbrojtësja e Vllaznisë Arbenita Curraj. Një dyshe shqiptaresh që po e thonë si duhet fjalën e tyre.(www.shkodrasport.com)