Sot, në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit është zhvilluar një mbledhje mes arbitrave, sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku dhe shefit i sektorit të gjykimit, Tahir Kastrati.

Shkak janë bërë vendimet e tyre në ndeshjet e fundit të elitës që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultat. Burime të besueshme bëjnë me dije që të gjithëve u është “tërhequr veshi”, por më e rëndësishme ka qenë pjesa që gjithçka duhet lënë pas për të mos ndikuar për javët e ardhshme.

Përmes një video-analize ishin diskutuar të gjitha rastet ku gjyqtarët kishin gabuar. Megjithatë e shkuara nuk kthehet pas dhe shpresohet që në javët pasardhëse gabimet e bëra mos të ndikojnë për ndonjë “kompensim” të mundshëm të atyre ekipeve që janë penalizuar.

Kujtojmë që java e 19-të e Superiores prodhoi mjaft polemika. Kukësi – Partizani dhe Teuta – Bylis ishin në qendër të vëmendjes për vendimet e marra nga trupa arbitrare në sfidat përkatëse. /Newsport/