Klajdi Kola nuk ar bitron një ndeshje në Shqipëri që nga 3 marsi 2020. Një ndeshje e luajtur mes Kukësit dhe Laçit në këtë datë. Një penallti e dhenë në favor të kurbinasve në “Elbasan Arena” ka bërë që kryesori i Kolegjiumit të Tiranës të “fshihet nga lista”. Sezoni që u mbyll, e gjeti atë të mënjanuar dhe gjasat janë që edhe për pak kohë të ndiqet shembulli për të mos e parë më në radhët e xhaketave të zeza.
NDËSHKIMI – Është tashmë praktikë e njohur që një arbitër dënohet duke e lënë në harresë dhe të paaktivizuar me ndeshje. Ndoshta, ndodh që edhe të marrësh direkt apo indirekt ndonjë mesazh nga kupola e arbitrimit në FSHF, mirëpo shpesh rastet janë të tilla që mjafton një urdhër nën zë dhe e mëson në heshtje përjashtimin. I tillë duket se është rasti me Klajdi Kolën.
Kryesori 32-vjeçar është ndëshkuar për ndeshjen mes Kukësit dhe Laçit, luajtur më 3 mars 2020, në të cilën penalltia që vendosi ndeshjen shkaktoi një lumë akuzash dhe polemikash. Sot numërohen 108 ditë nga ndeshja e luajtur në Elbasan pas së cilës kryesori vlonjat i Kolegjiumit të Tiranës është lënë pa aktivizuar në të gjitha ligat e futbollit profesionist në Shqipëri.
DËNIMI – Edhe më herët është parë një mënyrë e tillë ndëshkimi. Ka ndodhur me Lorenc Jeminin apo edhe Ervis Pezën. Mirëpo, ka pasur edhe raste si ai i Olsi Sokolit i cili në fundin e sezonit që lamë pas, nisi të riaktivizohej në liga të ndryshme.
Mirëpo, për Kolën, duket se ndëshkimi vijon ende, duke qenë se në javët e fundit, pas përfundimit të sezonit, arbitrat shqiptarë janë bërë pjesë e trajnimeve në VAR apo edhe seminareve të ndryshme përgatitore, në të cilat kryesori 32-vjeçar nuk është shfaqur asgjëkundi.