Erik Çupo-Moting, sulmuesi i Bajern Mynih, nuk do të ketë mundësinë që të veshë fanellën e përfaqësueses së Kamerunit në ndeshjet e ardhshme të kualifikueseve të Kupës së Afrikës, pasi Federata e vendit të tij ka bërë një gafë të pabesueshme.
Lojtari duhej t’i përgjigjej ftesës së trajnerit Antonio Konseisao, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndaj është lënë jashtë liste. Por sipas “Bild”, më vonë është kuptuar se është bërë një gafë e rëndë me ftesën që duhej të dërgohej zyrtarisht me faks brenda afateve të caktuar te klubi i Bajernit.
Në zyrat e Federatës kanë parë se ftesën ia kishin dërguar me faks vetes, e askush nuk e kishte vënë re këtë gabim të rëndë. Një ngjarje të cilën Çupo-Moting nuk e ka përjetuar mirë dhe babai i tij nuk ka kursyer kritikat për mënyrën se si kishin rrjedhur ngjarjet.
“Jam kontaktuar nga Federata për të mësuar se çfarë po ndodhte. Kontaktova Bajernin por ata më konfirmuan se nuk kishin marrë asnjë ftesë. Me sa duket, ia kanë dërguar një adrese të gabuar dhe e kanë kuptuar vetëm sot në mëngjes. Kjo është mungesë profesionalizmi”, tha ai. /vipsport/