Shkodra dhe Akademia e Vllaznisë vazhdon të prodhojë talente. Një nga këta talente kuqeblu është edhe 17-vjeçari William Cungu, pjesë e ekipit U19 të Vllaznisë, që drejtohet nga Vioresin Sinani.

Në ndeshjen e fundit, Vllaznia U19 mori fitoren e rradhës, pasi mundi me rezultatin 3-2 ekipin e Partizanit. Një nga më të mirët në këtë ndeshje ishte padyshim kapiteni i ekipit të Vllaznisë, William Cungu.

Ky i fundit, në një intervistë për “Shkodra Sport”, është shprehur i kënaqur me atë që po jep ai në aspektin personal me ekipin e U19.

“Të them të drejtën, emocionet ishin të papërshkrueshme në ndeshjen ndaj Partizanit, sidomos si shkoi rrjedha e lojës me një gol në minutë të fundit që na dha fitoren. Megjithatë, nuk ishte një surprizë fitorja ndaj Partizanit, i cili ka një ekip mjaft cilësorë, sepse ne e kishim përgatitur ndeshjen në maksimum.

Sezoni po shkon mjaft mirë në aspektin personal, poashtu edhe ekipor. Gëzoj një gjendje të mirë dhe shpresoj që të vij në rritje gjithmonë e më shumë.

Titulli kampion është objektivi i ekipit tonë. Do të punojmë fort dhe do përkushtohemi për ta arritur këtë qëllim. Të gjitha mundësitë i kemi dhe shpresojmë me ndihmën e Zotit që do e arrijmë”,-thotë ai.

Duke e ngacmuar më tej, se cili është objektivi i ardhshëm në karrierën e tij, Cungu shprehet se shpreson shumë që në të ardhmen të jetë pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë.

“Shpresoj që në një të ardhme të afërt të jem pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë dhe e Kombëtareve të moshave dhe pse jo ta përdor si një trampolinë për ekipet europiane.

Ndeshja e rradhës për ne është një transfertë shumë e vështirë ndaj Shënkollit, por objektivi jonë është të dalim me tre pikë nga kjo ndeshje dhe të mbajmë kreun e klasifikimit”,-mbylli prononcimin e tij, kapiteni i Vllaznia U19, William Cungu.
Maringlen ZHIVANI