Kodi Gakpo ka zbuluar rolin që pati shoku i kombëtares Virxhil van Dajk për ta bindur që t’i bashkohet Liverpulit. Sulmuesi kaloi vizitat mjekësore të mërkurën dhe firmosi kontratën 5.5-vjeçare, e cila do të hyjë në fuqi sapo ai të marrë lejen e punës.
Megjithatë, numri 18 në “Anfield” lëshoi edhe intervistën e parë si futbollist i “Reds”-ave dhe pranoi se kapiteni i Holandës ishte ai që kishte folur shumë në telefon me të këto ditët e fundit: “Ne kemi folur shumë në telefon gjatë ditëve të fundit.
Ajo që ai më tha ishte se kjo ishte lëvizja e duhur për mua për t’u zhvilluar dhe bërë një lojtar më i mirë dhe se klubi është shumë i madh dhe gjithashtu si një familje e vërtetë. Mendoj se kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme për mua, sepse unë jam një djalë familjar. Ai më tha vetëm gjëra të mira”, tha sulmuesi 23-vjeçar në intervistën për sajtin e Liverpulit.
“Për momentin unë isha duke folur me trajnerin, kur Van Dajk erdhi në zyrën e trajnerit dhe më pa atje. Folëm pak. Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe jam mirënjohës.
Mezi po pres që të luaj në ‘Anfield’. Kam dëgjuar shumë histori të shkëlqyera për këtë stadium dhe atmosferën. Mezi po pres që të luaj. Objektivi im është që të fitoj sa më shumë trofe që të mundemi, të luaj mirë dhe t’i tregojmë botës atë që mund të bëjmë si skuadër dhe atë që unë mund të bëj si futbollist. Dhe personalisht dua të vazhdoj që të përmirësohem dhe bëhem një lojtar më i mirë çdo sezon”.
Drejtori sportiv i Liverpulit, Julian Uard, e kaloi vigjiljen e Krishtlindjes dhe ditën e Krishtlindjes duke negociuar intensivisht me kolegun e tij të PSV-së, Marsel Brands, për të mbyllur një operacion shumë të vështirë, duke qenë se favoritë për të firmosur me 23-vjeçarin ishin rivalët e Mançester Junajtidit.
Gakpo ishte një objektiv i trajnerit Erik ten Hag që prej merkatos së verës, por “Djajtë” nuk arritën ta transferonin holandezin. Ata e kishin atë objektivin kryesor të merkatos së janarit, ndërsa në luftën për të siguruar një nga 4 vendet e para, u duhet një sulmues me peshë për të zëvendësuar Kristiano Ronaldon.