Gareth Southgate raportohet se po e konsideron të ftojë në Euro 2024 një lojtar i cili ka luajtur këtë sezon në Championship.

Anglia do të hyjë në këtë kompeticion si njëri ndër favoritët kryesor për ta fituar atë, pasi Southgate është bekuar me një numër të madh talentësh në ekipin e tij.

Harry Kane, Jude Bellingham dhe Phil Foden që të tre janë në garë për ta fituar Topin e Artë, ndërsa emra si Declan Rice, Cole Palmer dhe Bukayo Saka po shkëlqejnë gjithashtu me klubet e tyre respektive.

Vendimin e vështirë të Southgate për të përzgjedhur ekipin për Euro 2024 e bëri më të lehtë një vendim i UEFA-s më herët gjatë këtij muaji për të rritur numrin e lojtarëve të ftuar nga 23 në 26.

Kjo e ka hapur derën që shumë lojtarë që më herët nuk e kanë pasur mundësinë të përfaqësojnë shtetin e tyre, të marrin një ftesë.

TBR Football raporton se ylli i Aston Villës, Morgan Rogers, është në rrugën e duhur për të marrë ftesën nga përzgjedhësi Southgate.

Rogers iu bashkua Villas në janar nga Middlesbrough, të cilët e kishin transferuar atë nga Manchester City verën e kaluar.

Southgate besohet se ka mbetur ‘i befasuar’ nga sulmuesi dhe po e konsideron mundësinë që ta ftojë në Euro 2024.

Anglia do të përballet me Bosnje Hercegovinën dhe Islandën në ato që do të jenë ndeshjet finale para startit të Kampionatit Evropian në Gjermani./Telegrafi/