“Për momentin, Arabia është vetëm liga e fundit ku lojtarët shkojnë të vdesin nga ana futbollistike”. Këto janë fjalët e ashpra të Gary Lineker i cili si zakonisht është gjithmonë shumë i drejtpërdrejtë në komentet dhe opinionet e tij.

Duke folur për The Sun, ish-futbollisti shpjegoi vizionin e tij në merkato dhe për ofertat monstruoze që dëgjohen çdo ditë nga klubet arabe për futbollistët europianë: “Është burimi i fundit i të ardhurave, si Benzema që shkoi në Al Ittihad, e njëjta gjë me MLS, me Kinën.

E kam bërë edhe unë në Japoni në fund të karrierës”, vijoi Lineker i cili nuk përdor “masa mbrojtëse” për të folur për Ligën Pro Saudite.

Më pas anglezi shtoi: “Është e lehtë të thuash, ‘unë kurrë nuk do të shkoja atje për para’, derisa të shihni milionat. Pikërisht atëherë kjo dilemë bëhet e vërtetë. Lojtarët mund të sigurojnë sigurinë financiare të familjes së tyre për brezat që vijnë. Nuk mund të jetë e lehtë të refuzosh një ofertë të tillë”.