Vllaznia në volejboll për meshkuj e mbylli sezonin me gjysmëfinalen e humbur kundër Tiranës në kampionat. Kuqeblutë e rrjetës megjithatë mund ta cilësojnë edicionin të suksesshëm, që në fjalët e tij e vërteton edhe Ardit Taflaj.

Titullari i ekipit të drejtuar nga Artan Kalaja ka folur për këtë sezon, por edhe për investimet që mund të bëhen që të rritet akoma më tepër niveli.

Taflaj tha: “Mendoj se kemi bërë një sezon të mirë. Mundëm Skënderbeun që ishte shumë pretendent këtë edicion dhe madje shumë i investuar. Por ne arritëm ta kalonim. Me Tiranën patjetër do ishte e vështirë sepse ata janë ekipi më i mirë i kampionatit. Besoj se i përballuam deri diku mirë, por në fund u eleminuam në gjysmëfinale.

Me elementët vendas e them pa frikë se Vllaznia konkuron denjësisht për kampion në çdo sezon. Por shohim ekipe si Partizani që sjell nga 4-5 lojtarë nga Kuba dhe pyet veten nëse po luan me ekip shqiptar apo të huaj pastaj.

Mendoj se në të ardhmen mund të shikohen investime tek volejbolli, por këto janë gjëra që i dinë drejtuesit ndërsa ne si sportistë na mbetet që të bëjmë gjithmonë më të mirën për Vllazninë”.

Endri ÇINARI