Java e 29-të e Kategor isë Superiore ka rezultuar problematike sa i përket gjykimit, ku veç ndeshja Egnatia-Tirana u mbyll në normalitet.

Skënderbeut i mungon një penallti ndaj Partizanit. Në Laç u përdor metoda e kompensimit me penalltinë ndaj Dinamos, ku Laçit iu mohua një e saktë dhe iu dha një e dyshimtë.

Në Durrës gjyqtarët kanë vepruar drejt te rastet e penalltive, por falën mbrojtësin Jazxhi nga kartoni i kuq dhe goli që pësoi Vllaznia duhej anuluar.

Vendim i drejtë i gjyqtarëve tek anulimi i golit të Kukësit ndaj Kastriotit. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 29-të në Kategorinë Superiore:

LAÇI-DINAMO 2-1 Gjyqtarë: F.Lata (Durrës), O.Grabova (Fier), R.Mersinasi (Durrës) VAR: O.Yzeiraj (Patos), E.Gjoka (Lezhë)

Laçi-Dinamo ishte një ndeshje plot emocione e cila pati edhe episodet e veta.

Episodi i parë erdhi në minutën e 53-të kur Imami ndërhyn gabimisht ndaj Guindos, por për kryesorin është e rregullt. Nga pamjet duket se ndërhyrja e Imamit është në kohë vonesë. Mungon një penallti për Laçin.

Episodi i dytë për moviolë është ai i minutës së 85-të, kur kryesori akordon penallti për Laçin. Sipas Latës, Rexhinaldo ka shkaktuar faull ndaj Julian Shehut. Pamjet tregojnë një ndërhyrje shumë të lehtë të Rexhinaldos ndaj Shehut dhe këtu mund të themi që është përdorur teoria e kompensimit.

Rasti tjetër që ha diskutim është ai i ekzekutimit të penalltisë. Erërat e forta nuk lejonin që topi të qëndronte i palëvizur te pika e bardhë, kështu që në momentin e goditjes topi lëvizi disi dhe këtu lojtarët e Dinamos protestuan që penalltia të goditej edhe një herë, por Lata nuk ishte i këtij mendimi.

TEUTA-VLLAZNIA 1-1 Gjyqtarë: E.Bastari, A.Shkreta (Tiranë), D.Koreshi (Lushnjë)/ VAR: K.Meta (Tiranë), E.Malo (Lushnjë)

Takimi pati disa raste për moviolë, ku penalltitë e dyshuara u zgjidhën mjaft mirë nga VAR-i, por jo goli i Teutës. Gjyqtari kryesor u tregua zemërgjerë në pjesën e parë me mbrojtësin e Teutës, Filip Ivanoviç, që shënoi edhe golin e barazimit për durrsakët në shtesë.

Në minutat 15 dhe 20, Ivanoviç kryen dy ndërhyrje të ndëshkueshme ndaj Aralicës, por Bastari ia fali. Ndërsa në minutën e 45-të për ndërhyrjen ndaj Aralicës ndëshkohet me të verdhë, ku nëse do të ishte ndëshkuar edhe më herët, i binte që të kishte lënë ekipin me 10 vetë në pjesën e dytë.

Ndërsa rastet e dyshuara për penallti ishin: 20’ Ivanoviç pengon brenda zonës sulmuesin Gjurgjuviç. Arbitri vijon lojën, por gabon, pasi kemi të bëjmë me një penallti të pa dhënë për Vllazninë.

54’ Vllaznia kërkon penallti për një prekje topi me dorë nga Todorovski pas harkimit të Latifit. Gjyqtari Bastari jep pozicion jashtë loje për Adilin. Por pas një kontrolli të gjatë në VAR, rreth 5 minuta, me të drejtë jepet penallti për Vllazninë.

86’ Gjyqtari jep një goditje dënimi për Teutën pranë zonës. Por gjyqtari ftohet për të parë pamjet me VAR nëse ndërhyrja e Krujës ndaj Jazxhit ishte brenda apo jashtë zonës. Në fund ai respekton vendimin e tij duke dhënë thjesht faull. Vendim i drejtë.

99’ Teuta barazon shifrat me Jovanoviçin. Shkodranët protestuan për anulim goli, për pozicion të parregullt të Kotobellit. Idrizaj kroson nga e djathta dhe nga pamjet, që nuk janë shumë të qarta, duket se Kotobelli ka qenë në pozicion të parregullt, kur është nisur topi dhe më pas është bërë aktiv te pasimi për Ivanoviçin. Gjyqtarët në fushë dhe në VAR kanë qenë të vendosur se mbrojtësin e mbante në lojë Adili, por nga pamjet e servirura dyshohet se kanë gabuar dhe goli duhej anuluar.

PARTIZANI-SKËNDERBEU 0-0 Gjyqtarë: A.Beqiraj, D.Rexha (Tiranë), R.Malaj (Vlorë)/ VAR: K.Shahini, J.Xhaja (Tiranë)

14’ Hadroj pengon Berishën në zonë. Arbitri nuk e ndalon aksionin për ta shqyrtuar në VAR. Në fund lojtarët e Skënderbeut e nxjerrin topin jashtë dhe pasi konsultohet me asistentët e VAR-it, akordon vazhdimin e lojës. Pamjet për të parë dhe shqyrtuar këtë rast janë shumë të pakta dhe të paqarta, por në një moment duket qartë se ka një pengim nga ana e Hadrojt ndaj Berishës. Nëse e gjykojmë nga pamjet që janë servirur për këtë moment, mund të themi se ka penallti. Ndaj arbitri Beqiraj dhe kolegët e tij në VAR kanë gabuar.

65’ Zhunior pengon me dorë Moraeshin, që mbetet i shtrirë dhe kërkon ndihmën e mjekëve. Arbitri gjykon se nuk ka penallti për korçarët dhe mund të themi se ka vendosur drejt, sepse kontakti mes brazilianëve është minimal dhe nuk konsiderohet brenda limiteve të penalltisë.