Nëse punimet për “Arena Kombëtare” në kryeqytet vazhdojnë me intensitet, tashmë edhe të dielën, me qëllim që stadium i ri modern të jetë gati në shtator (nuk u realizuan pritshmëritë për tani në qershor), presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbarkuar ditën e sotme në Myzeqe.
Atje pritet të ndërtohet stadiumi i radhës i futbollit, që do të përmbushë parametrat e kërkuar nga UEFA dhe FIFA për ndeshje ndërkombëtare. Më konkretisht, në Fier do të nisë puna për projektimin, financimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, i cili zhvilloi një takim me kreun e futbollit shqiptar, Armand Duka, por edhe me presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima.
Palët e përfshira në këtë nismë të re infrastrukturore, që e ka “gjurmën” në stadiumin aktual “Loni Papuçiu”, kanë zbritur edhe në terren, kanë vëzhguar nga afër stadiumin e bardhëjeshilëve, si për të thënë se nuk është e largët dita e vendosjes së gurit të themelit, edhe pse kësaj periudhe kohore nuk i duhet besuar shumë, pasi është pragfushate zgjedhore për pushtetin lokal (!!!)
Kryebashkiaku Subashi bëri me dije se FSHF-ja ka ka marrë përsipër 35% të financimit të stadiumit të Fierit: “Me presidentin e FSHF-së biseduam dhe u dakortësuam për fillimin e punës nga projektimi, pastaj financimi e ndërtimi i stadiumit të ri të futbollit. Falënderim për presidentin Duka, që në emër të federatës mori përsipër 35% të financimit”./telesport/