Humbja e sotme në Elbasan Arena me rezultatin 0-1 ndaj Kastriotit, ka revoltuar shumë tifozët dinamovitë. Dinamo mban vendin e parafundit në tabelën e renditjes, duke qenë 8 pikë larg Egnatias që ndodhet në zonën e “play off”.

Së fundmi ka reaguar gazetari Artan Hoxha që njihet dhe si tifoz dinamovit. Ai ka përmendur ikjen e autobusit dhe ka treguar fajtorët kryesorë për gjendjen e Dinamos. Sipas tij janë të gjithë, ish- trajneri Bledi Shkëmbi, kapiteni Agim Ibrahimi, skuadra, stafi drejtues dhe presidenca. Më tej e mbyll duke thënë se i vetmi dinamovit me zemër është shoferi i autobusit me veprimin e tij.

“Dinamon e braktis autobuzi ne Elbasan….

Pas humbjes se sotme ne Elbasan, Dinamo vs Kastrioti 0-1, shoferi i autobuzit te Dinamos ka marre autobuzin dhe eshte larguar duke e lene skuadren ne dhomat e zhveshjes…

Me humbjen e sotme Dinamo e vulosi tashme se eshte rikthyer serish ne kategorine e pare per “meriten” e plote te “Fergusonit” shqiptar Bledi Shkembi, kapitenit Agim Ibrahimi, skuadres dhe stafit drejtues te klubit me presidentin ne krye…

Te pakten shoferin e autobuzit e paskemi dinamovit me seder…

E meriton respektin e te gjithe dinamoviteve….”, shkruan Artan Hoxha në rrjetin social Facebook.

Humbja e Dinamos nuk duket të përbëjë lajm sepse vëmendjen në fund e mori ikja e autobusit të klubit. Lojtarët e Dinamos mbetën kështu pa transport për t’u kthyer në kryeqytet dhe nuk dihet akoma nëse ky ishte një vendim i presidencës apo personal i shoferit të autobusit.