Nga Maringlen ZHIVANI
Mbrojtësi i ri shqiptar Gerard Mirashi po spikat me parametrat e tij fizikë dhe potencialin për të ardhmen. 18-vjeçari, i gjatë plot 1.96 metra, aktivizohet si qendërmbrojtës dhe aktualisht është pjesë e ekipit italian Nuova Igea Virtus në Serie D.
Mirashi, i lindur në Firence dhe me nënshtetësi shqiptare, luan në formë huazimi nga Benevento Primavera, ndërsa kontrata e tij me klubin aktual është e vlefshme deri në verën e vitit 2026.
I rritur në akademinë e Cattolica Virtus Firenze, ai konsiderohet një profil interesant për të ardhmen, duke qenë se përveç rolit natyral si qendërmbrojtës, mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i djathtë.
Në fund të këtij sezoni, Mirashi pritet të rikthehet te Benevento, klub me të cilin ka fituar kampionatin, ndërsa sezonin e ardhshëm do të luajë në Serie B.
Me fizikun e tij imponues dhe moshën e re, Mirashi shihet si një element premtues në repartin defensiv, me potencial për zhvillim të mëtejshëm në futbollin italian dhe më gjerë.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


