I gjithë opinioni sportiv po e pret me padurim Klasiken e futbollit shqiptar, Vllaznia-Tirana, që do të luhet pasditën e nesërme. Të dyja këto ekipe janë matematikisht në garë për fitimin e titullit kampion këtë sezon, me kryeqytetasit që renditen të parët dhe disi më të avancuar se kuqeblutë, të cilët janë në ndjekje të tyre me një distancë prej 11-pikësh.

Rezultati i kësaj ndeshje mund të vendosë shumë gjëra dhe pikërisht për këtë arsye, vëmendja është e përqëndruar vetëm në këtë “Klasike” të futbollit shqiptar. Megjithatë, kush është favorit për ndeshjen e nesërme?

Pikërisht duke marrë në konsideratë faktin se bëhet fjalë për një duel shumë të rëndësishëm dhe deçiziv, gazeta “Shkodra Sport” ka vendosur të bisedojë me një panel gazetarësh nga më të njohurit në Shqipëri, për të marrë prej tyre përgjigjet e pyetjeve të ndryshme. Kjo rubrikë do të vijojë me moderatorin dhe gazetarin sportiv të mirënjohur, Gerti Çarçani. Më poshtë, keni mundësi të lexoni intervistën e tij dhënë për gazetën tonë gazetarit Maringlen Zhivani.


-Çarçan, si e shikoni ndeshjen Klasike të ditës së nesërme Vllaznia-Tirana dhe si e gjykoni një duel të tillë në këtë moment?

Një duel i tillë në këtë moment është deçiziv. Në fakt, për hir të së vërtetës një sfidë e tillë gjithmonë ka qenë potenciale nga rivaliteti i këtyre dy skuadrave. Poashtu, janë dy klube që shkojnë mirë në raportet mes njëri-tjetrit dhe për hir të së vërtetës është një sfidë, ku duket që Vllaznia ia gjen gjithmonë PIN-in Tiranës për të marrë pikët. Megjithatë, edhe me rrethana të tjera, pavarësisht se ndeshja e fundit e luajtur në Shkodër, në opinionin tim personal rezultati i drejtë i fushës duhet të ishte barazimi, por një penallti e kontestuar vendosi ndeshjen.

Megjithatë, kjo është histori tjetër. Një ndeshje e tillë është më shumë se sa deçizive, sepse do ta bënte më intrigues kampionatin në të gjitha pozicionet e tij, kryesisht tek çështja e titullit në rast se frenohet Tirana dhe te çështja e Europës në rast se frenohet apo fiton Vllaznia, sepse është një garë shumë e fortë edhe për Europë.


– Cili nga të dy ekipet mendoni se mund të kishte pasur mundësi për të bërë më mirë këtë sezon?

Natyrisht, Vllaznia është një nga skuadrat që kishte mundësi për të bërë shumë më mirë këtë sezon. Një Vllazni, e cila është kuotuar që në fillim si pretendente për titull, sepse për titull e ka organikën me shumë emra, por që nuk është se kanë bërë kimi dhe në prodhimin e kësaj kimie, ka gabuar në rezultat pafund. Vllaznia ka pasur oshilacione të tmerrshme në këtë kampionat. Në fakt, kanë gabuar të gjitha skuadrat, por Vllaznia ka gabuar shumë më tepër. Mjafton të përmendim edhe gabimet e fundit, me të cilat mund të kishte marrë tjetër rrjedhë klasifikimi i Vllaznisë.

Kujtojmë që, shtatë pikë i ka marrë Egnatia që e ka në gjysëmfinale të Kupës, por e ka për të luajtur edhe në kampionat në sfidën e rradhës pas Tiranës. Vllaznisë, vetëm pak javë më parë i mori fitoren Kastrioti brenda në Shkodër. Prandaj, edhe them që ka pasur oshilacione të pafalshme. Ndërrimi i trajnerit pastaj është politikë e klubit. I eci vjet me Josën që u ndërrua trajneri dhe në fund erdhi Josa, ku morën Kupën. Mbase mund t’i ecë përsëri këtë vit, pra mund t’i dalë një lëvizje e suksseshme, pavarësisht se lëvizje të tilla të trajnerëve në këtë periudhë të sezonit, gjithmonë më kanë qëlluar jo fort deçizive.

-Besoj përveç futbollistëve në fushë, do të jetë edhe një duel trajnerësh mes Goçe Sedloskit dhe Orges Shehit, sa i vlerësoni të dy këta trajnerë dhe cili mendoni se mund të rezultojë më vendimtar me lëvizjet e tij?

Në fakt, Shehi ka më njohje, është më “in” tek skuadra e Tiranës. Sedloskin nuk e njoh shumë, jo vetëm unë, por kam përshtypjen as vetë presidenti Albani nuk e njeh shumë. Skuadra duhet ta njohë akoma më shumë. Ai fitoi një ndeshje të thjeshtë me Erzenin apo më saktë iu bë e thjeshtë. Në Kukës pastaj ishte krejtësisht një tjetër panoramë. Kaq kemi parë nga ky trajner dhe nuk mund të jap një gjykim, sepse nuk e njohim realisht se çfarë do të bëjë. Eshtë për ta parë në ndeshjen me Tiranën se çfarë do të ndryshojë. Kontigjentin e futbollistëve e ka të plotë.

Ndoshta, me Latifin në super-formë dhe me Balaj që nuk po arrin të vendosë ende një gjurmë deçizive, edhe pse është futbollist që është në vëmendje të kundërshtarëve, kryesisht të mbrojtjes, por kam përshtypjen që Shehi e ka më nën kontroll skuadrën, ka prodhur më klimë atje, është më harmonik me grupin dhe kjo ka bërë që të jetë në pesë pikë distancë me Partizanin ndjekës. Unë them Shehin, sepse e njohim shumë më tepër se sa këtë Sedloskin. Kam përshtypjen që edhe ju vetë gazetarët e Shkodrës do t’u duhet edhe pak kohë që ta njihni më mirë Sedloskin.


-Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë nxjerrë nga pretendimet për titull Vllazninë, ndikon ndopak kjo për këtë ndeshje?

Kam përshtypjen që nuk ndikon, sepse edhe në momentin më të keq të mundshëm, një Vllaznia-Tirana është një Vllaznia-Tirana, një Klasike interesante simpatike. Nuk është kurrë në nivelet e Tirana-Partizani, në asnjë moment. E them këtë, e kam thënë dhe do ta them, Tirana-Partizani është vitrina e futbollit shqiptar. Nuk është Vllaznia-Tirana, u pëlqen apo nuk u pëlqen tifozëve shkodranë, sepse kështu është e vërteta dhe ky është realiteti, por nuk është se ndikon. OK, rezultatet negative janë pjesë e skuadrës, kanë gjithmonë një motiv për t’u kthyer te rezultati pozitiv. Kështu që, nuk besoj se ndikon aspak. Këto janë sfida, ku ambienti, tradita dhe rivaliteti bëjnë që futbollistët ta kenë “gjah” atë paketën e motivimit, si nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër.


-Mendoni që një fitore ndaj Tiranës, e afron më shumë Vllazninë pranë titullit kampion apo është çështje e mbyllur pjesa e kreut për kuqeblutë?

Unë mendoj që është e mbyllur çështja e titullit kampion, edhe nëse Vllaznia e fiton sfidën me Tiranën. 11-pikë janë shumë me kreun. Unë nuk besoj se është e hapur. Matematika nuk më lejon ta them këtë që sapo thashë, por probabiliteti dhe projeksioni logjik e refuzojnë këtë. Kam përshtypjen edhe vetë Vllaznia është e dorëzuar në heshtje dhe ka mendjen tek Europa, por ndoshta edhe për të risjellë përsëri në Shkodër trofeun e Kupës së Shqipërisë, pavarësisht se ka një malore shumë të egër me skuadrën që është ndër më të fortat dhe më të mirat, që është Egnatia dhe shijen e Egnatias ajo e ka provuar. Sa i përket titullit, besoj që është histori e mbyllur edhe për këtë edicion për Vllazninë, edhe nëse fiton me Tiranën.


-E fundit Çarçan, kush mund ta fitojë ndeshjen dhe kush mund të rezultojë ndoshta vendimtar në këtë Klasike të fundit të këtij sezoni?

Tani, kjo pyetje është për të ndezur tifozët. Mua nuk më mërzisin le të themi edhe nervozizmat e tyre, sepse e mirëkuptoj fizionominë e të qenurit tifozë. Ajo që dua të them është se një fitore e Vllaznisë do ta bënte më intriguese garën. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të fituar. Tirana do të luajë shansin për të administruar atë avantazh që ka me Partizanin. Këtë rradhë, Partizani sytë i ka nga Vllaznia. Gjithmonë, asaj i duhet të bëjë mirë edhe me Bylisin. Unë them që mund ta fitojë Vllaznia ndeshjen dhe kush mund të rezultojë vendimtar? Si përherë në Shkodër, vendimtar është gjyqtari i ndeshjes.
Maringlen ZHIVANI