Gilman Lika është një nga lojtarët e njohur në kampionatin shqiptar që ka kontribuar për vite me radhë në elitë. Ish-mesfushori i Vllaznisë, këtë sezon pa skuadër, është përfolur për t’u rikthyer sërish në Superiore.
Duhet theksuar se nuk ka asgjë zyrtare, por zërat e kanë çuar mëngjërashin te skuadra e Apolonisë. Dhe si për t’i shtuar më shumë “dozën” e thashethemeve ka menduar vetë ai.
Përmes një fotoje të postuar në rrjetet sociale, Lika është rikthyer në fushë duke u stërvitur individualisht nën kujdesin e ish-shokut të tij të skuadrës, Ergi Borshi. Ky i fundit u detyrua të linte vjet futbollin pas një dëmtimi të rëndë, ndërsa prej kohësh ka nisur karrierën si trajner futbolli.
Me interes pritet të shihet se cila do të jetë e ardhmja e Gilman Likës, ku pas një pushimi 3-mujor, padyshim që do të rikthehet të kontribuojë sërish për futbollin shqiptar./newsport/