
Një nga lojtarët e përmendur për t’u rikthyer te Vllaznia është edhe Gilman Lika, që ka mbyllur sezonin e shkuar te Tirana. Burime pranë tij bëjnë me dije se shkodrani është në pritje që të ulet në bisedime me drejtuesit e klubit për të vendosur të ardhmen e tij. Mirëpo në këtë periudhë një gjë e tillë duket paksa e vështirë, pasi fushata elektorale ka përfshirë edhe klubin shkodran.Gjithçka deri tani është pezull në këtë drejtim.
Nuk mësohet të ketë ndonjë lëvizje në drejtim të përforcimit të ekipit. Në këto momente, një gjë e tillë duket se po ndodh edhe me mesfushorin shkodran. Ai mësohet të jetë shprehur pozitiv për një rikthim te Vllaznia, por për të bërë të mundur një gjë të tillë duhet që të bëhen bashkë disa komponentë.Drejtuesit teknikë duhet të thonë fjalën e tyre për këtë lojtar e më pas duhet që të gjendet edhe akordi financiar mes palëve. Ndoshta kjo gjë pritet të ndodhë në ditët në vijim. Gjatë kësaj periudhe mësohet se G.Lika ka pasur oferta edhe nga disa klube të tjera të Superiores. Megjithatë, Vllaznia do të mbetet alternativa e parë për të.


