Ish-kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika i ftuar mbrëmë në Star Sport, komentoi mbi shkodranët dhe fundin e kampionatit shqiptar. Sipas ish-mesfushorit edhe të kombëtares shqiptare, kuqeblutë kanë vetëm një rrugë për të dalë në kupat e Europës dhe ajo është fitimi i kupës së Shqipërisë.
Lika u shpreh duke thënë: “Pashë një ndeshje me Egnatian së fundmi që Vllaznia fitoi 3-1 ku lojtarët shfaqën një grintë më shumë. Kjo ishte diçka pozitive pasi përsa i përket fitores dhe 3 pikëshit, them se shërben më tepër moralisht. Sepse e kam thënë prej disa kohësh që Vllaznia për në Europë ka vetëm një rrugë dhe ajo është fitimi i kupës kundër Laçit.
Nuk besoj se shkodranët mund ta kapin zonën europiane në kampionat. E pamë edhe në javën që u mbyll se sa lehtë e mori fitoren Partizani apo edhe Tiranën që ndeshjen e fundit e ka me Kukësin që nuk u impenjua thuajse fare në humbjen kundër Dinamos. Por them se është pozitive që Vllaznia luan ndeshje reale, kjo pasi lojtarët mbahen në ritëm të lartë.
Dhe ky fakt bën që të jenë akoma edhe më të karikuar për ndeshjen finale. Them se trajneri Josa duhet të mos ketë rezerva për asnjë lojtar në ndeshjen e fundit kundër Kastriotit dhe të luajë me titullarët. Pasi ai nuk a ka luksin të ruajë futbollistë sepse finalja është në prag dhe nuk ka kohë që ta njohë ekipin në vazhdimësi”.
Endri ÇINARI