Klevis Dalipi nuk është më trajneri i Korabit. Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Dalipi ka një vit në krye të ekipit, teksa ka bërë mjaft mirë. N

ë fjalën e tij përshendetëse, ai falenderon të gjithë për mbështetjen e dhënë gjatë gjithë kësaj kohe. Dalipi kërkon mirëkuptimin e tifozëve për këtë largim, pasi, siç thotë ai, do nisë një sfidë tjetër profesionale.

Ndërprerja e marrëdhënieve vjen në një moment krejtësisht të papritur, me Korabin që tani duhet të mendojë për “timonierin” e ri të skuadrës. Me interes të madh pritet të shihet se cila do jetë e ardhmja e 44 vjeçarit.

Postimi i klubit:

Falenderojmë Klevis Dalipin për kontributin dhe punën e bërë deri sot tek K.F Korabi, mëposhtë është mesazhi i tij i plotë:”Të nderuar miq, bashkëpuntorë dhe sportdashës dibran!Për gati 1 viti kam qenë në krye të klubit futbollistik “Korabi” si trajner i ekipit, dhe mendoj se besimin e dhënë e kam shpërblyer me punë dhe përkushtim maksimal në drejtimin e konsolidimin e kësaj skuadre që premton shumë në të ardhmen.

Rezultatet e arritura në kampionat dhe Kupë, përzgjedhja e afrimi i lojëtarëve të rinj me shumë potencial, janë dëshmi e një ecurie mjaft të mirë të klubit përgjatë këtij viti, edhe pse me vështirësitë e veta në ndeshje e momente të caktuara.Sot, më duhet të ndaj me ju, largimin tim nga drejtimi i “Korabit” për një sfidë tjetër profesionale…

Ka qenë një eksperiencë mjaft pozitive dhe largohem i kënaqur për çfarë kemi arritur gjatë sezonit të kaluar dhe gjatë këtij gjysmë sezoni me “Korabin”.Jam i bindur që kjo skuadër që kemi ndërtuar: kompakte, ambicioze, me energji të reja, si dhe me suportin e nevojshëm financiar, do të shkojë aty ku e meriton.

Duke shpresuar në mirëkuptimin e këtij vendimi, gjej rastin të falenderoj jashtë mase për besimin dhe mbështetjen e pakursyer si për mua si trajner, ashtu edhe për të gjithë klubin futbollistik “Korabi”, presidentin e ekipit dhe njëherazi Kryetarin e Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj., administratorin Z. Meziu.

Njëkohësisht shpreh falenderimet e mia për bashkëpunimin korrekt dhe respektin karshi meje, stafin, lojëtarët, si dhe gjithë tifozerinë e zjarrtë dibrane për mbështetjen e jashtëzakonshme morale që i dhurojnë skuadrës në çdo ndeshje.Faleminderit dhe Suksese më tej “Korab”! “