Një nga trajnerët e rinj në Shkodër që e ka marrë me shumë dëshirë trajnimin dhe po bën mirë në të, është edhe Denis Zmijani. Ai aktualisht drejton bashkë me kolegun Zhejani ekipin U15 të Akademisë Vllaznia dhe natyrisht që të dy janë të fokusuar për të bërë sa më mirë, në rradhë të parë për t’i mësuar futbollistët e vegjël të luajnë bukur futboll dhe kur ndodh kjo, natyrisht që nuk mungojnë edhe rezultatet.

“Patjetër që është kënaqësi të punosh me futbollin e moshave dhe kryesisht tek Vllaznia dhe aq më tepër kur ke edhe rezultate. Aktualisht po punoj bashkë me kolegun Nefail Zhejani për të tretin vit rradhazi me një grup lojtarësh që premtojnë shumë për të ardhmen me të cilët një vit kemi dalë kampion, një vit tjetër nënkampion ndërsa sivjet sërish jemi në mes ekipeve pretendente”- ka thënë Deniz Zmijani në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa ku ka qenë i ftuar mbrëmjen e së hënës..

Karriera e tij si futbollist nuk ka qenë e një niveli të lartë, megjithatë vetë ai mendon se si trajner gjërat janë ndryshe dhe duke punuar fort, duke studiuar dhe marrë përvojën e tij, secili mund të bëjë një karrierë të suksesshme në këtë fushë.

Unë mendoj se nganjëherë për një trajner që nuk ka patur ndonjë karrierë kushedi se çfarë si futbollist, është më mirë ndoshta ngaqë i ngjit shkallët e karrierës një nga një dhe kur shkon në majë, shkon për shkak të punës së bërë dhe jo për shkak të emrit.

Jo të gjithë ata që janë marrë me futboll, kanë qenë të një niveli të lartë. Unë kam luajtur 29 ndeshje në kategorinë Superiore, dy prej të cilave i kam me Vllazninë si titullar, 14 me Shkumbin dhe 13 me Teutën. Ka qenë një periudhë kur nuk kishte shumë hapësira të luajë për të rinjtë për të luajtur tek ekipi i parë i Vllaznisë që ishte çdo vit pretendent dhe pjesmarrës në Kupat e Europës. Më pas karriera time ka vijuar tek Ada, Veleçiku e ekipe të tjera.

Kuptohet që për trajnerët pa një karrierë të pasur si futbollist, nuk është e lehtë të ngjitësh shkallët e karrierës sepse është kthyer në modë këtu në Shqipëri që më shumë duan dhe u besojnë të huajve apo trajnerëve vendas me emër.Dhe ndonëse këta të huajt dështojnë njëri pas tjetrit, sërish është e njëjta situatë.

Si trajner e kam nisur me shumë dëshirë dhe kuptohet që po mundohem ta bëj në mënyrën e duhur teksa kam ambicjet për të bërë një karrierë sa më të mirë”- ka thene Zmijani.
© shkodrasport.com