Tre trofe brenda një viti për klubin Vllaznia nga ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Dy Kupat e Shqipërisë dhe një titull kampion janë treguesi më i mirë i asaj çfarë është bërë dhe trajneri i këtyre sukseseve Bledar Gjeçaj ndjehet i lumtur për to. Ai madje premton edhe titullin e rradhës kampion ndërkohë që në këtë intervistë për gazetën, nuk ka dashur të komentojë shumë akuzat e drejtorit të klubit në adresë të tij dhe skuadrës që drejton. Ja intervista e plotë dhënë për gazetën tonë ditën e djeshme nga trajneri Gjeçaj:


-Një tjetër trofe për basketbollin shkodran teksa keni fituar edhe Kupën e Shqipërisë. Duket se tashmë është koha e Vllaznisë për të dominuar?
-Besoj se jemi në rrugën e duhur, po fitojmë trofe, por siç i thonë, më e vështirë është për ta mbajtur tashmë. Megjithatë jam prapë optimist  se do ta vazhdojmë këtë rrugë por duhet të shtojmë ritmin e punës sepse konkurrenca është shtuar dhe vetëm duke punuar fort, mund t’ia dalim të triumfojmë ndaj kundërshtarëve.
-Ishte e vështirë finalja ndaj Kamzës?
-Çdo finale është e vështirë. Ne në fakt ishim përgatitur për t’u ndeshur me Tiranën sepse ajo na kishte mundur në fazën e dytë të kampionatit dhe u munduam të riparojmë disa gjëra për këtë kundërshtar. Por në fakt, në gjysmëfinale Kamza dominoi ndaj Tiranës dhe doli ajo në finale. Ndeshja ka patur shumë rivalite madje kundërshtari jonë në një moment arriti të na ofrohej deri në dy pikë por ne ia dolëm të shkëputemi sërish dhe ta fitojmë ndeshjen. Kjo fitore merr edhe më shumë rëndësi sepse ky trofe u fitua në Tiranë dhe për më tepër, thuajse me të gjithë basketbollistët shkodranë, sidomos në pjesën e dytë ku ata bënë një paraqitje shumë të mirë dhe triumfuan.
-Në harkun kohor të një viti, i keni dhënë Vllaznisë tre trofe. Kishte kohë që nuk ndodhte. Jeni i lumtur për këtë?
-Ju po thoni kishte kohë që nuk ndodhte por unë mendoj se Vllaznia asnjëherë në historinë e saj të basketbollit nuk i ka fituar tre trofe rradhazi. Ky është një rekord më vete dhe ne si pjestar të këtij suksesi, ndjehemi mirë për këtë që i kemi dhuruar qytetit tonë. Kjo nuk do të na kënaqë por besoj se do të na shtojë oreksin për të fituar edhe titullin kampion dhe mundësitë i kemi. Kjo nuk do jetë e lehtë sepse kundërshtarët tanë nuk do pajtohen kollaj me këtë gjë por duke patur pranë gjithmonë një president si Sokol Dibra që ka një meritë të jashtëzakonshme në këto suksese, si dhe mbështetjen e klubit, mund t’ia dalim. Shpresoj shumë që parketi i ri i pallatit të sportit të vihet sa më shpejt dhe ne të fillojmë punën për të qenë gati në ndeshjet kryesore dhe përcaktuese të kampionatit.
-Po bëheni gati por është larguar lojtari kryesor i ekipit- Sarajlija. Si do ta kompesoni largimin e këtij basketbollisti?
-Sarajlija është një lojtar me peshë në skuadrën tonë por do të mundohemi të bëjmë edhe pa të. Problemet shëndetësore që i krijoi në gjunjë parketi i pallatit të sportit, ia bëni të pamundur vazhdimin e tij me Vllazninë. Por ne do të mundohemi të bëjmë edhe pa të. Për fat të mirë, ndeshjet e para të kampionatit do të jenë relativisht të lehta, që do të na ndihmojmë të kolaudojmë skuadrën dhe po ashtu edhe ndeshjet e Ligës Ballkanike që do të zhvillohen gjatë muajit janar, do të na shërbejnë për këtë kolaudim sepse siç dihet ne nuk kemi pretendime në këtë kompeticion. Do mundohemi t’ia dalim edhe pa Sarajlijën ndonëse mund të ketë edhe ndonjë përforcim që mund të bëhet në vazhdim.
– Së fundi Gjeçaj si do t’i komentoni akuzat e drejtorit të Sporklub Vllaznia Mark Kroqi thënë pak ditë më parë në adresë të skuadrës që ju drejtoni dhe tuajën personalisht?
-Nuk kam fare dëshirë t’i komentoj dhe as t’i kushtoj rëndësi. Shpresoj që të ketë qenë një moment gjakënxehtësie i tij për të hedhur baltë mbi ekipin tonë kur në fakt ne kemi bërë më të mirën e mundshme për klubin Vllaznia gjatë kësaj periudhe, duke sjellë trofe dhe duke mbushur plot pallatin e sportit. E rëndësishme është që të mos krijojmë artifica të panevojshme që do prishnin harmoninë që ekziston në skuadër dhe ne të sjellin edhe titullin e rradhës kampion në Shkodër.
Gjergj KOLA