Skuadra e Vllaznisë në basketboll për meshkuj pret e qetë Tiranën me të cilën do të përballet në takimin e tretë të vlefshëm për fazën e “Play Off”. Dy sfidat e para mes këtyre ekipeve kanë përfunduar me nga një fitore për secilën palë. Kjo ka bërë që ekipet të luajnë edhe ndeshjen e tretë gjysmëfinale. Skuadra që fiton takimin e tretë, automatikisht kualifikohet për në finale, ku e pret Kamza. Shkodranët kanë bërë përgatitjet e fundit dhe tashmë janë të gatshëm për përballjen e së premtës që do të zhvillohet në ora 19:00 në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” në Shkodër. Në prag të kësaj sfide, drejtuesit e Vllaznisë shprehen tejet optimist dhe besojnë se do të marrin një fitore. “Është një takim që kërkon vëmendje maksimale sepse kjo është nga ato ndeshje ku nuk lejohen gabimet. Skuadra ka një gjëndje optimale para sfidës me Tiranën. Basketbollistët janë në formë të mirë sportive dhe është e rëndësishme është se nuk kemi lojtarë të dëmtuar, ndaj ekipi është i plotë për këtë ndeshje. Kjo na bën optimist dhe na ngroh. Lojtarët janë stërvitur normalisht dhe po presin me qetësi takimin e fundit gjysmëfinal. Padyshim që kemi shumë besim se mund të dalim të fituar nga kjo përballje. Ky është edhe objektivi ynë i këtij sezoni, madje edhe më shumë se kaq. Duam të jemi në finale e ta pse jo ta fitojmë atë. Patjetër që më parë duhet të mendojmë që të zgjidhim sfidën me Tiranën e më pas të bëjmë llogaritë për Kamzën. Kemi fituar dy herë me Tiranën në Shkodër dhe kjo falë edhe publikut të mrekullueshëm. Besoj se të njëjtën gjë do ta përsërsim edhe këtë herë. Natyrisht që kërkoj nga të gjithë basketbollistët që të mos kalojnë në eufori apo vetkënaqësi port ë jenë me këmbë në tokë. Secili nga ne duhet të japë maksimumin në tapetin e pallatit të sportit, si e vetmja mundësi për të marrë një fitore. Shpresoj që edhe kësaj here të kemi mbështetjen maksimale nga tifozët, ashtu siç e kemi patur gjatë gjithë këtij sezoni. Besoj se mbi të gjitha do të jetë një garë e bukur sportive e njerëzit do të kënaqen. E vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin sepse është një ekip me basketbollistë të mirë por Vllaznia shkon në këtë ndeshje me objektivin e vetëm për të fituar e për të kaluar në finale e madhe” – ka deklaruar trajneri i Vllaznisë Bledar Gjeçaj, në prag të sfidës me Tiranën. Në prag të kësaj sfide janë marrë të gjitha masat nga forcat e rendit për shmangien e ndonjë konflikti të mundshëm si shkak i tensioneve apo acarimeve që mund të sjellë ndeshja mes Vllaznisë e Tiranës. Mësohet se tashmë vetëm pak bileta kanë mbetur në dispozicion duke qënë se interesimi i tifozëve për këtë përballje spektakolare është tepër i madh.

Senad Nikshiqi